Dragash, 27 prill 2020 – Para më shumë se shtatë dekadash, në Dragash hapi dyert një vatër arsimore, e rëndësishme për kohën por edhe për ditët tona. Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët “Fetah Sylejmani” sot është shkollë e plotë nëntëvjeçare.
E themeluar në vitin 1948, deri më tani nga kjo shkollë kanë dalë gjenerata të tëra e që shumë prej nxënësve të saj sot janë bartës të detyrave me përgjegjësi në komunën e Dragashit dhe jo vetëm. Kjo vatër arsimore, me seli në Dragash dhe me shtatë paralelet e shpërndara nëpër fshatra, tri në fshatrat me popullatë shqiptare dhe katër paralele në fshatrat me popullatë gorane, mbetet e vetmja shkollë nëntëvjeçare shumetnike në këtë komunë të skajshme të Kosovës. Saktësisht, paralelet e saj ndodhen në fshatrat Shajne, Rrenc, Xërxe, Lybevisht, Radeshë, Kukajan dhe Leshtan. Së fundmi, e udhëhequr nga një drejtor i ri dhe tejet entuziast, kjo vatër arsimore rezulton në kulmin e suksesit të saj, bazuar në rezultatet e nxënësve dhe investimet që janë bërë. Drejtori, Flurim Çengaj, në prononcimin për redaksinë tonë thotë se mësimi në këtë shkollë po zhvillohet suksesshëm në dy gjuhë, shqip dhe gorano-boshnjakisht. “Objekti, edhe pse i vjetër, i plotëson kushtet për mësim të rregullt dhe proceset tjera edukativo-arsimore. Sa iu përket objekteve shkollore nëpër fshatra, edhe ato janë në gjendje solide por që ka nevojë për më shumë investime, sikurse në shkollën qendrore, në mënyrë që të arrijmë edhe më shumë sukses në të ardhmen”, thotë drejtori Çengaj. Ajo që e karakterizon këtë shkollë, është fakti se, gjatë kohës së regjimit serb, u mbyll për shqiptarët, derisa shkollat tjera fillore vazhdonin të punonin me plan-programet e Kosovës. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, me përkushtimin e kolektivit, arrihet rikthimi i kësaj shkolle në gjendjen normale, për ç’gjë edhe krenohet popullata e kësaj ane.
Më 29 maj të vitit 2009, me kërkesën e Drejtorisë së Arsimit në Dragash, Ministria e Arsimit merr vendim për ndërrimin e emrit të kësaj shkolle, duke e emërtuar me emrin e dëshmorit të UÇK-së nga fshati Shajne, Fetah Sylejmani, i cili ra dëshmor në luftën e fundit në Kosovë. E një rëndësie të madhe është edhe fakti se kjo shkollë është seleksionuar nga UNICEF-i si model për kultivimin e punës cilësore edukativo-arsimore, në mesin e 10 shkollave të Kosovës, në kuadër të programit “Shkollat pilot”, ku sipas këtij programi mësimdhënësit e kësaj vatre janë përfshirë në shumë trajnime të organizuara për metodat bashkëkohore didaktike e që kjo ka ndikuar në cilësinë për mësimdhënie tek nxënësit. Këtë e ka dëshmuar fakti se kjo shkollë vazhdimisht merr pjesë nëpër aktivitetet e ndryshme kulturore dhe edukativo-arsimore që organizohen në komunën e Dragashit dhe më gjerë, siç është Festivali rinor që organizohet çdo vit në këtë komunë, kuizet e ndryshme etj.
Sot, në Ditën e Shkollës, për shkak se ndodhemi në gjendje pandemie, nuk do të ketë aktivitete të bujshme por, barra i bie drejtorit, Frurim Çengaj, që të merret me shpalosjen e të arriturave dhe sukseseve të kësaj shkolle, duke i publikuar në faqen e shkollës punimet e dalluara të nxënësve, aktivitetet më të suksesshme, si dhe spikatja e historikut dhe biografisë së kësaj vatre.
Fal entuziazmit të drejtorit Çengaj, edhe ambientet përreth shkollës kanë ndryshuar për të mirë, duke i dhen këtij objekti një pamje edhe më të ndritur.
Shkolla “Fetah Sylejmani” në Dragash shënon 72-vjetorin!
POSTIMI PARAPRAKKonfirmohet rasti i tretë në Dragash me Covid-19
POSTIMI I RADHËSRegjistrohen dy rastet e para me Covid-19 në Dragash!