Prishtinë, 18 janar 2022 – Qeveria e Kosovës e ka aprovuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, për konsumatorët që harxhojnë më shumë se 600 KWh energji. Megjithatë, ky rregull vlen për harxhuesit në amvisëri por jo edhe për bizneset. “Subvencioni i energjisë elektrike nga ana e Qeverisë do të ndikojë që tarifa për konsumatorët biznesor mbetet me 0% rritje, tarifa për konsumatorët shtëpiak deri në konsumin prej 600 KWh mbetet me 0% rritje, ndërsa tarifa e propozuar nga ZRRE për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 KWh të reduktohet, duke pasqyruar kështu çmimin e importit për këta konsumatorë dhe me qëllim promovimin e kursimit të energjisë”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Ministrisë së Ekonomisë.
Ndryshe, në raportin e ZRRE-së propozohet që tarifa për konsumatorët me 800 KWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 euro. Ndërsa konsumatorët që shpenzojnë 1000 KWh energji në muaj, sipas propozimit të ZRRE-së përballen me një rritje prej 24.62 euro të çmimit.