Dragash, 17 prill 2018 – Ndonëse “Euro Sharri” është mishtorja më e besueshme në Dragash, për të cilën klientët thonë se është vërtetë hallall, javën e kaluar ajo ishte në shënjestër të inspektorëve dhe AUV-së, me ç’rast edhe iu asgjësua një sasi e kofshëve të pulës, me arsyetim se ato nuk po ruheshin në temperaturën adekuate. Pronari i mishtores, Lulzim Sadiku, ka deklaruar për redaksinë tonë se malli që iu konfiskua të martën e kaluar, nuk ka qenë me afat të skaduar. “Sasia e mishit të pulës, të cilën e asgjësoi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, me arsyetim se kishte shenja të shkrirjes, nuk është matur fare dhe as që është bërë ndonjë analizë. Inspektorët kanë vepruar vetëm duke e parë mishin e pulës me sy. Në fakt ne gjithnjë e nxjerrim një sasi nga frizi, në mënyrë që të lirohen kofshët nga ngrirja e thellë, për t’i ndarë më pas në sasi të vogla, ashtu siç i kërkon klienti. Madje, kemi blerës që kërkojnë kofsha me copë, mbase nga një për anëtar në familjet e tyre, kështu që ato nuk mund t’i ndash po nuk i le të shkrihen paksa”, pohon Sadiku, duke potencuar se firma e tyre është e pajisur edhe më dokumentacion përkatës, si e vetmja në këtë komunë për tregtim me këtë lloj mishi.
I kontaktuar nga redaksia jonë, Selami Behluli, inspektor komunal në Dragash, tha se për këtë aksion duhet të prononcohet AUV-ja. “Ne ishim vetëm vëzhgues në këtë aksion dhe jo se kemi marrë ndonjë vendim. Prandaj, për gjithçka duhet të prononcohet agjencioni”, tha shkurt Behluli.
Megjithatë, pronari i mishtores thotë se ndihet i dëmtuar dhe se iu bë me hile në këtë aksion. “Nuk jam kundër aksioneve të tilla sepse vërtetë duhet të mbrohet konsumatori. Por, unë nuk mund ta kuptojë se si mu asgjësua malli, pa u konstatuar nëse ishte për konsum apo jo. T’i bëhej analiza dhe pastaj të merrej vendimi dhe jo vetëm duke e shikuar me sy”, thotë Sadiku, duke shtuar se të nesërmen kishin ardhur kamerat televizive të një mediumi nga Prishtina, për t’u marrë me këtë ngjarje. Madje, ai thotë se ky TV ka gënjyer kur ka raportuar, kinse gazetarja ishte refuzuar nga pronari për një prononcime. “As që jam marrë me këtë televizion dhe as që e kam vërejtur prezencën e tij. Ky televizion ka tentuar të merr prononcim nga një punëtor, i cili i ka thënë se nuk mund të prononcohet pasi ai nuk është pronar. Pastaj, ky televizion ka xhiruar fshehtas pamje të lokalit dhe në redaksi ka bërë përzierje me pamjet të tjera nga arkivi, duke e sajuar një imazh, sikur në lokalin tonë u bë nami. Megjithatë, ajo që kam kërkuar unë ishte vetëm kërkesa që të përdorej analiza dhe jo të konstatohet përmendësh gjendja e mishit të pulës. Gjithsesi, i gjithë aksioni ka vijuar pa kurrfarë rezistence nga ana jonë”, pohon Sadiku, për të shtuar se klientët e tij i besojnë dhe se vazhdojnë ta konsiderojnë si mishtoren më hallall në këto anë. “Fundi i fundit, ne kemi besimin e klientëve tanë dhe të gjithë habiten se, përse u bëmë shënjestër e inspektorëve, madje morën vesh edhe mediat, kur dihet se në asnjë rast nuk janë bërë publike emrat e firmave që janë kontrolluar në këto anë”, përfundon Sadiku.
Reagon pronari i mishtores në Dragash – Ma bënë me hile!
POSTIMI PARAPRAKShkolla e mesme “Ruzhdi Berisha” kremtoi 49-vjetorin!
POSTIMI I RADHËSMilo Gjukanoviq zgjidhet presidenti i Malit të Zi