Reagojnë veteranët – Kërkojnë të ndalohen zgjedhjet serbe!

Reagojnë veteranët – Kërkojnë të ndalohen zgjedhjet serbe!

Dragash, 31 mars 2017 – Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së në Dragash, sot ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme, duke marrë shkas paralajmërimet se të dielën edhe në trevën e Gorës do të organizohen zgjedhjet serbe, ndonëse në këtë trevë nuk ka asnjë serb.
Kryetari i OVL të UCK-së, Qerkin Krasniqi, tha se në këtë mbledhje u analizua situata e përgjithshme në komunën e Dragashit, si dhe veprimet antiligjore që po ndodhin në këtë trevë, e që nuk po ndëshkohen nga askush. “Ne jemi duke i parë të gjitha veprimet antiligjore, madje kundër shtetit tonë dhe, për çudi, askush nuk po reagon se lerë më të veprojnë, ashtu siç veprohet ndaj shqiptarëve, coftë edhe për një kundërvajtje të thjeshtë. Një pjesë bukur e madhe e popullatës së Gorës, tash e disa vjet po veprojnë me ligje të Serbisë, sikur të mos ekzistonte shteti i Kosovës. Së fundmi, ata po bëjnë fushatë nëpër rrjetet sociale dhe nëpër tubimet mes tyre nëpër oda e kafene edhe për zgjedhjet presidenciale të Serbisë, të cilat do të zhvillohen të dielën. Ndonëse askush nga organet shtetërore nuk është deklaruar për to, ne e dimë se të njëjtat do të zhvillohen edhe në fshatin Vranic të Gorës. Prandaj, ky veprim për ne është i pajustifikueshëm dhe i patolerueshëm për organet tona shtetërore, të cilat, jo vetëm që nuk do t’i pengojnë por do të asistojnë në to, në emër të mbrojtjes së qetësisë publike”, tha Krasniqi për redaksinë tonë, pas përfundimit të mbledhjes, duke kërkuar nga organet përgjegjëse që të marrin masa dhe të veprojnë në suazat ligjore, në mënyrë që mos të lejohet mbajtja e këtyre zgjedhjeve në komunën e Dragashit, me që këtu nuk jeton asnjë serb. “Mbajtja e zgjedhjeve serbe edhe tek ne, nuk mund të quhet ndryshe, pos si një provokim i radhës për shqiptarët, si dhe dëshmi ndaj shtetit serb se në këtë zonë po mbrohet Serbia. Me këtë dëshmi, goranët po i justifikojnë pagat e tyre që i marrin nga Beogradi”, tha mes tjerash Krasniqi.

Leave a Reply