Dragash, 04 shtator 2019 – Në vazhdën e aktiviteteve të shënimit të 20-vjetorit jubilar të themelimit të Policisë së Kosovës, edhe në Dragash sot policia i hapi dyert për qytetarët që kishin interes për ta vizituar këtë institucion të sigurisë dhe për t’u njohur nga afër me punën e tyre.
Në kuadër të projektit “Dyert e Hapura”, pos qytetarëve, Stacionin Policor në Dragash e kanë vizituar edhe përfaqësues të institucioneve komunale, si dhe nxënësit e klasave të 5-ta të SHFMU “Fetah Sylejmani”, ku u pritën nga komandanti, Shaqir Uka, si dhe stafi përcjellës i këtij stacioni.
Zyrtari për Bashkëpunim me Komunitetin në stacionin e Dragashit, Isuf Isufi, iu përgjigj të gjitha pyetjeve të nxënësve, të cilat ishin të shumta dhe mjaftë interesante, e që ndërlidheshin me punën e policisë. Edhe komandanti i këtij stacioni, Shaqir Uka, gjatë tërë kohës ka bashkëbiseduar me nxënësit, të cilëve në formë humori ua bënte me dije se “policia është miku më i mirë për qytetarët e mirë, ndërsa armike për qytetarët që shkelin ligjet”.
Kujtojmë se aktivitetet e policisë për ta shënuar këtë përvjetor jubilar do të vazhdojnë në Prishtinë edhe të enjten, ku do të luhet finalja në futboll, për t’u përmbyllur të premten me ceremoninë kryesore në “White Garden Event”, në magjistralen Prishtine – Ferizaj.
Policia e Dragashit sot hapi dyert për qytetarët
POSTIMI PARAPRAKRamush Haradinaj vizitoi kompaninë “Meka” në Plavë