Policia arreston 40 persona – Mendohet se janë terroristë!


harta veprimi isisPrishtinë, 11 gusht 2014 – Mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës ka vënë në pranga 40 persona, për të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në luftimet, në Siri dhe Irak, përkrah organizatave të shpallura terroriste, ISIS dhe Al-Nusra.
Operacioni po vazhdon ende, pasi është konstatuar se dhjetëra persona kanë lidhje me këto organizata. Policia thotë se ky aksion është rezultat i punës hetimore disamujore dhe se arrestimet po zhvillohen në të gjitha qendrat e Kosovës. “Ky operacion është ndërmarrë, pas vlerësimit se ka elemente të rrezikshme për sigurinë kombëtare, mbrojtjen e rendit kushtetues, ruajtjen e rendit dhe ligjit, si dhe në frymën e ruajtjes së respektimit të të drejtave të secilit person, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila njihet si vend i tolerancës fetare dhe i respektimit të të drejtave të njeriut, pa dallim race, feje apo gjinie”, thuhet në komunikatën e policisë, pasi kjo e fundit ka bastisur rreth 60 lokacione, ku janë arrestuar 40 persona, nën dyshimin se kanë kryer vepra penale.
Policia thotë se, në cilësi të provave materiale, janë konfiskuar materiale inkriminuese që ndërlidhen me veprat për të cilat dyshohen këta persona, duke përfshirë këtu mjete eksplozive, armë dhe municion të kalibrave të ndryshëm, si dhe dëshmi të tjera që ndërlidhen me rastin. “Njoftojmë qytetarët e Kosovës për rrezikun që iu kanoset, nëse dikush merr rrugën për t`iu bashkëngjitur organizatave të dyshuara që operojnë në territorin e Sirisë dhe Irakut, ku deri më tani 16 persona janë  deklaruar të vrarë”, thuhet në komunikatë, duke shtuar se një pjesë e madhe e këtyre  organizatave janë të shpallura si organizata terroriste nga organizmat ndërkombëtarë, si dhe janë të njohura si të tilla edhe nga institucionet vendore. “Duke parë rrezikun që marrin këta persona, për të shkuar në zona të luftës, Policia e Kosovës iu bën apel të gjithë qytetarëve që mos të bien pre e joshjeve dhe premtimeve të pavërteta dhe, për çdo rast, ta njoftojnë Policinë e Kosovës. Në të kundërtën, Policia e Kosovës, duke u bazuar në mandatin ligjor që ka, do të ndërmarrë të gjitha masat për të parandaluar dhe luftuar çdo formë të ekstremizmit të dhunshëm, përfshirjes së individëve në aktivitete kriminale, në organizata apo grupe terroriste, brenda dhe jashtë Kosovës, si dhe të gjithë atyre që në çfarëdo forme përkrahin, financojnë, rekrutojnë apo nxisin urrejtje kombëtare, racore apo fetare”, thuhet mes tjerash në komunikatë, ku potencohet se, gjatë operacionit, janë shoqëruar edhe 2 persona për pengim në kryerje të detyrës zyrtare dhe sulm ndaj personit zyrtar, të cilët me vendim të prokurorit kompetent, janë liruar në procedurë të rregullt.