Plaku i maleve të Opojës – Rizan Begu

Plaku i maleve të Opojës – Rizan Begu

Nga: Bedri HALIMI


• Sot vdiq plaku i maleve të Opojës – Rizan (Halimi) Begu (1933 – 2016), emri i të cilit është i njohur në tërë popullatën e Opojës. Ky emër është i njohur edhe jashtë trevës së Opojës. Emri i Rizan Begut është i njohur për shumë veprimtarë të çështjes kombëtare në vende të ndryshme të Kosovës, siç është i njohur edhe në Maqedoni. Shumë veprimtarë e përmendin me respekt e pietet të veçantë këtë emër. Dhe, kanë arsye për këtë. Rizan Begu është i njohur tek të gjitha shtresat e popullatës në komunën e Sharrit. Jo vetëm në Opojë por edhe në Gorë. Atë e njohin edhe pleqtë, edhe të rinjtë, sidomos veprimtarët, qofshin këta të gjeneratave të vjetra, të mesme apo të reja.
Rizan Begu i takon të gjitha gjeneratave; edhe moshës së vjetër, edhe moshës së mesme, edhe moshës së re. Sa herë ka pasur nevojë që të zhvilloheshin aktivitete të ndryshme, protesta, mbledhje, angazhime konkrete, këshilla etj. – Rizan Begu ishte aty, me tërë qenien e tij, me tërë shpirtin e tij.
Rizan Begu ishte njeri tokësor, ai kurdoherë ishte i tillë. Nuk i kishte në qejf lavdërimet. Nga Rizan Begu, asnjëherë, asnjë fjalë, askush, nuk ka mundur ta dëgjojë, duke e lavdëruar veten. Rizan Begu e dinte se ai që i këndon këngë vetes, e vret këngën.
Të punosh me Rizan Begun ishte nderë dhe obligim. Nderë, për arsye se ai me tërë atë që e kishte, ia kushtoi çështjes së përgjithshme. Kurse obligim, për faktin se Rizan Begu nuk e shikonte njeriun se sa vjet i kishte. Është i ri apo plak. Ai e shikonte se çka po thotë ai njeri dhe varësisht nga kjo, e përkrahte pa rezervë. Kur Rizan Begu kishte besim te dikush, ai nuk kërkonte sqarime për një punë që duhej bërë. Kurrë nuk kërkonte të dinte në hollësi pse duhej bërë, apo edhe nëse dikush nxirrte dilemë rreth asaj se a duhej bërë një punë, Rizan Begu ishte i pari ai që e zhdukte dilemën. I pari ai hidhej në aksion për ta bërë. Kjo të impononte detyrimisht respekt të veçantë për Rizan Begun. Çdo punë që duhej bërë duhej analizuar mirë, nga se po doli keq ishte turp të dilje para Rizan Begut. Ai asnjëherë nuk kërkonte ta fajësonte dikë për ndonjë lëshim eventual. Donte të ishte pjesëtar edhe në përgjegjësitë e ndonjë pune të pabërë. Ai e dinte se nuk kishte në fakt përgjegjësi, por donte të futej në përgjegjësi bashkë me përgjegjësit, në mënyrë që puna të bëhej. Rizan Begu nuk përtonte të ecte edhe në këmbë, qoftë në protesta, mbledhje dhe aktivitete të ndryshme. Jo rastësisht populli e quajti i Plaku i Maleve.
Rizan Begu, edhe me veturë, edhe me para, edhe me aktivitet fizik, ishte kudo ndër të parët. Edhe në formimin e subjekteve politike, pas rënies së komunizmit; edhe në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut; e sidomos në aksionin e pajtimit të gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave.
Rizan Begu nuk kishte fakultet të kryer, por kishte fakultetin e jetës dhe angazhimeve të mëdha mbi supet e veta. Kishte përvojën jetësore, vuajtjet që kishte përjetuar. Rizan Begu kishte edhe mençuri popullore. Te figura e Rizan Begut ishin gërshetuar: mentaliteti i malësorit, të kombinuara me virtytet e njeriut të urtë, të një njeriu të vendosur dhe një trimi racional. Rizan Begu veprimet joracionale të ndonjë të riu i gjykonte, duke e këshilluar që të mos vepronte kokë me vete dhe në ndikimin e emocioneve momentale. Kur Rizan Begu e merrte fjalën për të biseduar në odë, në mbledhje, e sidomos në pajtime, detyrimisht të impononte respekt për ta dëgjuar. Imponimin e respektit me atë thjeshtësinë e vet, me atë butësinë e fjalëve, si dhe me ashpërsinë e qëndrimit, bënte që të kishte respekt edhe pala që hezitonte për momentin për t’u pajtuar, me mendimet e Këshillit të Pajtimit, ku pas fjalëve të Rizan Begut, në shumë raste gjërat ndryshonin për të mirë.
Rizan Begu, bashkë me shumë veprimtarë të tjerë nga Opoja, merrte edhe rrugë të gjata udhëtimi. Ai e dinte se problemi i Kosovës pa luftë nuk do të zgjidhej, prandaj me kohë iu bashkua veprimtarëve, të rinjve. Sa për ilustrim, po përmendim vetëm shkuarjen në Maqedoni, në Tetovë, Veshallë, Bozovc, Brodec e Shipkovicë më 1991. Edhe ardhjen e tyre në Opojë, ku patën ndenjur e biseduar për hallet që e kishin kapluar shoqërinë shqiptare. Koha tregoi se Rizan Begu kishte të drejtë.
Dera dhe konaku i Rizan Begut ishte i hapur kurdoherë. Aty kanë ngrënë bukë shumë personalitete të ndryshme politike e kulturore nga Opoja e vende të ndryshme. Për Rizan Begun, përkatësia partiake ishte e parëndësishme, formale. Ai te njeriu e shihte burrërinë, sjelljet, vendosmërinë. Me një fjalë, i shihte “punën dhe jo gunën” siç do të thoshte Naim Frashëri. Edhe nëse kryhej ndonjë punë e mirë diku dhe Rizan Begun nuk e kishin ftuar, ai nuk hidhërohej. I gëzohej pa masë punës së kryer dhe respektin për ata që e kishin kryer punën, e kishte të njëjtë, sikur ta kishin ftuar edhe atë. Rizan Begu i gëzohej pa masë suksesit të të gjithë njerëzve: qoftë kjo në biznes, shkollë, punë, në shkencë, në art e kulturë.
Plaku i maleve të Opojës – Rizan Begu, edhe në moshë të shtyrë, deri në ditën e fundit ishte me kthjelltësi e vitalitet të madh mendor e shpirtëror, përkundër shëndetit jo gjithherë të mirë. Rizan Begu, ishte një enciklopedi e vuajtjeve të Opojës, e veprimtarisë së Opojës, e punëve të mira dhe të liga që kanë kryer njerëzit në Opojë. Ai dinte edhe për ngjarjet në të cilat nuk i kishte jetuar vetë. Pra dinte edhe për ngjarjet e viteve 1912, 1913, siç dinte edhe për ngjarjet e mëvonshme. Ai këto gjëra i kishte mësuar nga pleqtë e tjerë, duke i regjistruar në kokën e tij. Pastaj ato ngjarje, rrëfime, ia bartte të rinjve. Rizan Begu nuk kishte se si të mos i dinte edhe ngjarjet e pasluftës së dytë në Kosovë. Ato ngjarje e kanë prekur thellë shpirtin e Rizan Begut. Marrja e njerëzve në polici, rrahjet, torturat në valë të ujit, zhveshja në borë e acar kanë lënë gjurmë të pashlyera në kujtesën e Rizan Begut. E si mos ti dinte kur nga anëtarët e familjes së tij ishin rrahur babai e mixhallarët (Ajdini, Beqiri e Shaipi)? Dhe jo vetëm kaq! Më 1956 edhe vet Rizan Begu ishte torturuar rëndë me pretekstin e kërkimit të armëve në të ashtuquajturin “aksioni për mbledhjen e armëve”.
Te personaliteti i Rizan Begut, të gjithë veprimtarët shihnin motivimin për të vazhduar më me ngulm në aktivitetet e tyre kombëtare. Te personaliteti i Rizan Begut, shumë të rinj kishin parë vendosmërinë dhe si rrjedhojë frymëzimin për t’iu bashkuar edhe radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Te personaliteti i Rizan Begut, shumë njerëz të pasur duhet të gjejnë frymëzim për të treguar bamirësinë dhe humanizmin. Te personaliteti i Rizan Begut, shumë të rinj duhet të shohin motivimin dhe vendosmërinë për suksese në punë e në jetë.
Plaku i Maleve të Opojës ka qenë, dhe do të mbetet përherë burim frymëzimi për të gjithë. Plaku i Maleve të Opojës – Rizan Begu është shembulli më i mirë i gërshetimit të vetëdijes njerëzore dhe ndërgjegjes kombëtare.
Lavdi jetës dhe veprës së Rizan Begut. I paharrueshëm qoftë kujtimi për Plakun e Maleve të Opojës.

Leave a Reply