Përfunduan organizimet për nder të Ditës së Çlirimit të Dragashit

Përfunduan organizimet për nder të Ditës së Çlirimit të Dragashit

Dragash, 16 qershor 2019 – Komuna e Dragashit e i ka përmbyllur sot aktivitetet që shënuan Ditën e Çlirimit, ku bartëse e këtyre aktiviteteve ishte Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport. Dita e parë filloi me Akademinë Përkujtimore, ku kryetari i Komunës, Shaban Shabani, përkujtoi sakrificën e të rënëve për liri, si dhe u shprehu mirënjohje familjarëve të Dëshmorëve. Pas Akademisë, të premten u bënë homazhe tek shatorja e Adem Jasharit, si dhe në varrezat e dëshmorëve, ku u vendosën kurora e lulesh. Aktiviteti ka vazhduar të shtunën, në mejdanin e Opojës, ku u zhvillua gara tradicionale në vrapimin e kuajve, e cila u përcoll nga një masë e madhe e publikut. Para fillimit të kësaj gare, u zbulua pllaka përkujtimore e të riut, Muhamer Mustafa, i cili humbi jetën gjatë përgatitjeve për këtë garë, e në shenjë përkujtimi gara u nis në atë moment kur kishte ndodhur aksidenti. Pas përfundimit të garës, fituesit e tre vendeve të para u shpërblyen me kupa, medalje dhe me nga një mirënjohje.
Ndërkaq, të dielën u organizuan garat tradicionale të pehlivanëve, në Stadiumin e Qytetit në Dragash, e cila shikuesve iu dha emocione të mëdha. Interesimi ishte shumë i madh, ku u dëshmua prania e shikuesve nga vise të ndryshme shqiptare. Në garë morën pjesë mundës të shumtë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria dhe Turqia, të cilët ishin të ndarë në pesë kategori.
Ky spektakël dhe ai i garave në vrapimin e kuajve u transmetuan drejtpërdrejt nga shtëpia jonë informative, ku statistikat dëshmojnë se është përcjellë nga rreth 60 mijë ndjekës.

• Drejtpërdrejt: Vrapimi i Kuajve!
• Drejtpërdrejt: Gara e Pehlivanëve!