Dragash, 06 gusht 2022 – Portali “IndeksOnline” ka raportuar sot se automjeti zyrtar i kryetarit të Dragashit, Bexhet Xheladini, është parë në një dasmë në Prizren. “Stina e verës karakterizohet me pikun e dasmave në Kosovë. Këtyre të fundit nuk mund t’iu rezistojnë as politikanët. Një rast i ngjashëm ka ndodhur në Prizren, të paktën kështu figuron një veturë në një nga rrugët e qytetit. Vetura zyrtare e kryetarit të Dragashit, Bexhet Xheladinit, është parë në një dasmë në Prizren. Indeksonline ka siguruar fotografinë ku shihet se vetura me regjistrim 04Z-20-05 është parë pranë dasmës që po mbahej diku në Prizren”, kishte shkruar Indeksonline.
Pas publikimit të fotos, nga zyra për informim e Komunës së Dragashit, ka sqaruar se kryetari Xheladini, së bashku me drejtorin për Ekonomi, Financa e Zhvillim, Qamil Kollonin, sot në Prizren kanë pasur një takim zyrtar. Me të përfunduar takimin kanë shfrytëzuar rastin që ta vizitojnë një kolegë për t’i uruar martesën e djalit. ““Lidhur me shkrimin e IndeksOnline, zyra për Informim e kryetarit të Komunës së Dragashit sqaron se kryetari Xheladini dhe drejtori për Ekonomi, Financa e Zhvillim, Qamil Kolloni, sot në Prizren kanë pasur një takim zyrtar. Takimi është pjesë e përgatitjeve për vizitën që do t’i bëhet Komunës së Zhelinës, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e që ndërlidhet më projektin IPA, i cili financohet nga Bashkimi Europian. Gjithashtu, ata vizituan edhe vendin ku planifikohet të bëhet Qendra Informative Turistike, me objektet përcjellëse. Kryetari, pas mbarimit të takimit, e ka shfrytëzuar rastin, me që ndodhej në Prizren, për ta uruar një kolegë të tij për martesën e djalit. Është e sigurt se kryetari nuk ka qenë për t’u regjestruar në fakultet, e as për të kaluar ndonjë provim. I ka mbaruar me kohë këto gjëra. Dhe, mos harroni, Bexhet Xheladini është kryetar komune shtatë ditë në javë. Pra, edhe të shtunave edhe të dielave”, thuhet në reagimin e Zyrës për Informim të Komunës së Dragashit.
Pas raportimeve se vetura e kryetarit të Dragashit u pa në një dasmë, vjen reagimi nga Zya për Informim e Komunës!
POSTIMI PARAPRAKDragashi dhe Zhelina nënshkruajnë Memorandum Bashkëpunimi
POSTIMI I RADHËSKomuna e Dragashit shënon ngritje rekorde në transparencë!