Partia Demokratike, praktikisht nuk është më!

Partia Demokratike, praktikisht nuk është më!

Shkruan: Jozefina TOPALLI


Partia Demokratike nuk është më as në Parlament dhe nuk ka më asnjë bashki. Me urdhrin për djegien e mandateve, Lulzim Basha e nxori atë me dhunë jashtë parlamentit, duke i tradhtuar e fyer mbi 400 mijë demokratë që votuan siglën e kësaj force politike. Me këtë, që është akti më ekstrem dhe i papërgjegjshëm i historisë së demokracisë, ai praktikisht i ftoi shqiptarët në luftë vëllavrasëse. Pas kësaj, premtoi se do të krijonte qeverinë teknike dhe do ta rrëzonte Edi Ramën. Sot, me mos hyrjen në zgjedhje, jo vetëm që nuk arriti asnjërën, por i dhuroi Ramës të gjitha bashkitë, të gjitha pushtetet. Nga sot, çdo gjë ka ndryshuar. PD është jashtë çdo pushteti politik dhe lokal, ndërkohë që Edi Rama ka marrë çdo gjë. Demokratet e fundit të punësuar në bashkitë e djathta do të jenë në mëshirën e Edi Ramës. Partia Demokratike, praktikisht nuk është më. Dhe, kjo është vrasja më mizore që kreu i saj mund t’i bënte demokratëve. Ky është dëmi më kriminal ndaj vendit, që Lulzim Basha kreu për karrigen e hallet e tij. Dhe, nuk mbaron këtu. Ai tradhtoi shpirtin perëndimor të forcës politike, e cila lindi për ta hapur dhe për ta integruar vendin në Evropë e NATO.
Nuk po ndalem këtu të komentoj për deklaratën e tij të para pak minutash, kur këndonte fitore, mbi kufomën e një force politike që, një kohë i dha jetë dhe ëndërr një kombi për tre dekada, e që qëndroi në këmbë mbi sakrificën e jetën e idealistëve të paepur në dekadat e shkuara. Nga sot, asgjë nuk është më si më parë. Pasi ka marrë faturën e dhunës, pasi humbi mbështetjen e gjithë botës, pasi kreu vetëvrasjen më kriminale që mund të imagjinohej… Dhe, desh e çoi vendin në përplasje!
Pasi humbe “revolucionin” dhe dështove të arrije qeverinë teknike, pasi dështove ta rrezoje Ramën dhe pasi e le PD-në pa asnjë pushtet politik, Ti Lul, kësaj radhe nuk mund të këndosh më mbi trupin qe jep shpirt të partisë sonë. Ti ishe eksperimenti më i pamerituar për demokratët dhe për vendin.
Partia Demokratike ka kaluar edhe njëherë tjetër një moment tragjik. Dhe, demokratët e vërtetë, përmes përpjekjeve herkuliane, ia dolën ta ngrejnë nga hiri dhe ta sjellin në pushtet. Edhe sot, Lul, njerëz të ndershëm, te rinj e të reja, idealistë e intelektualë, patriotë, të pakorruptuar e të pashitur, do ta shpëtojnë partinë nga pengmarrja e tradhtia, do ta ngrenë sërish në piedestalin që i takon, per t’i dalë zot vendit, interesit publik e njerëzve që Ti i le pa shpresë e pa perspektivë.
Njerëzit e lirë, nuk do të lejojnë më që, as ti dhe as 3-4 shokët tu në pushtet dhe “opozitë” ta mbajnë në dëshpërimin e dhimbjes e të pamundësisë, një popull që boll ka vuajtur nëpër shekuj.
Është koha për ta ringritur Partinë Demokratike nga e para. Është koha për ta larguar këtë klasë politike. Demokratët, shqiptarët do t’ia dalin.