Tiranë, 21 shtator 2014 – Papa Françesku po qëndron në Shqipëri, vizitë kjo e para që po e bën në një vend evropian, jashtë Italisë. Vizita e Atit të Shenjtë në Tiranë e ka bërë Shqipërinë sot qendër të botës. Të gjitha mediat e mëdha botërore po e transmetojnë drejtëpërdrejtë qëndrimin e Papës në Tiranë. Ato kanë organizuar edhe emisone speciale, duke ftuar priftrinjë por edhe analistë që flasin për rëndësinë e kësaj vizite.
Këtë vizitë po e bën të veçantë edhe fakti se, Papa po e viziton një vend me shumicë myslimane, por ku mbizotëron bashkëjetesa fetare, një model ky që po i shërben gjithë botës, e cila sot është në zjarr nga luftrat fetare që po bëhen në vendet e Lindjes së Mesme. Ati i Shenjtë e shkeli tokën shqiptare në orën 09:06 minuta, ku u prit nga kryeministri, Edi Rama, si dhe anëtarë të Qeverisë e drejtues të Kishës Katolike shqiptare. Papa takoi edhe dy fëmijë, njeri nga jugu dhe tjetri nga veriu i vendit, si pjesë e një përshëndetjeje simbolike për Atin e Shenjtë.
Ne ambientet e sallës VIP, në aeroportin e Tiranës, u zhvillua ceremonia zyrtare, ku kryeministri Rama i dhuroi Papës një kupë dheu shqiptar, dhuratë kjo simbolike dhe shumë domethënëse. Më pas, Papa, i shoqëruar nga eskorta papale, u nis drejt kryeqytetit, për të mbërritur në Presidencë, ku është zhvilluar ceremonia e mirëseardhjes, në oborrin e Presidencës, i shoqëruar me një vizitë kortezie me presidentin e Republikës, Bujar Nishanin.
Në fjalimin e tij, në Meshën e Shenjtë, që u zhvillua në sheshin “Nënë Tereza”, Papa Françesku iu drejtua të rinjve me porosinë “Adhurojeni Zotin. Ku ka rini, ka shpresë. Besimi në Zot nuk zhgënjen, por është gjithnjë krah nesh. Duke ardhur sot në mesin tuaj, të dashur vëllezër e motra të Shqipërisë, në këtë shesh që i kushtohet bijës së madhe e të përvuajtur të këtyre trojeve, Nënë Terezës së Kalkutës, dëshiroj ta përsërisë këtë përshëndetje… Paqe në shtëpitë tuaja, paqe në zemrat tuaja, paqe në kombin tuaj”, ka thënë Papa Françesku, duke bërë thirrje për dashuri mes popujve. “Mos harroni folenë e historisë suaj të largët. Mos harroni plagët. Por, mos u hakmerrni. Shkoni përpara”, ka thënë Papa.