Dragash, 26 maj 2015 – Qendra për Integrim dhe Zhvillim në Dragash (CIDD) të hënën organizoi konferencën përmbyllëse, ku shpalosi të gjeturat që i kanë identifikuar gjatë monitorimit të degës së Gjykatës Themelore të Prizrenit në Dragash dhe të Gjykatës Themelore në Prizren.
Kjo organizatë që ka implementuar projektin “Për një gjykatë transparente dhe të përgjegjshme”, në kuadër të projektit “Ngritja e Vetëdijes dhe Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Sistemin e Drejtësisë”, e mbështetur nga ATRC dhe USAID, kishte marrë përsipër që për shtatë muaj (24 tetor 2014 – 24 maj 2015) të monitorojë në gjykatë të gjitha lëndët e kryera dhe ato në procedurë, e që kanë të bëjnë me veprat penale kundër të drejtave të votimit, ku palë në procedurë janë banoret e Komunës së Dragashit. Të pranishëm në këtë konferencë ishin mbikëqyrësja e degës së gjykatës themelore të Prizrenit në Dragash – Sebahate Kurtishi, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren – Afërdita Kicaj, si dhe gjykatës, avokatë, bashkëpunëtorë profesionalë në gjykata, përfaqësues të subjekteve politike, juristë të rinj, si dhe përfaqësues të mediave dhe shoqërisë civile.
Menaxheri i projektit, Mervan Zejnullahu, fillimisht shpalosi qëllimet e projektit, ku bëri një përshkrim më të detajuar të punës që është bërë gjatë shtatë muajve të implementimit të këtij projekti, duke sqaruar strukturën e gjyqësorit në Kosovë, kompetencat e gjykatave dhe departamenteve që veprojnë në kuadër të gjykatave. Ai i komentoi edhe disa nene të caktuara nga Kodi i i vjetër Penal, të cilët sanksiononin veprat penale kundër të drejtave të votimit, duke vazhduar më pas me përshkrimin e neneve nga Kodi i ri Penal dhe dënimet që parashihen me këtë kod për veprat e tilla.
Më pas, monitoruesja në Gjykatën Themelore në Prizren, Pëllumbesha Bajraktari, prezantoi në detaje të gjeturat që kanë rrjedhur nga procesi shtatë mujor i monitorimit të gjykatave. Ajo konstatoi se, gjatë kësaj faze, janë monitoruar gjithsej 10 lëndë penale, ku të akuzuar kanë qenë 52 persona nga komuna e Dragashit, nga të cilët 42 janë dënuar me dënim me kusht (6 muaj burgim), e që ai denim nuk do të ekzekutohet, në rast se personat e dënuar nuk kryen vepër të re penale gjatë periudhës prej një viti.
Kjo OJQ paraqiti edhe disa çështje pozitive dhe negative që kanë hasur gjatë kësaj faze të monitorimit. Si çështje pozitive paraqiten bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që kanë ofruar përfaqësuesit e gjykatave ndaj monitoruesve dhe stafit të OJQ-ve, pastaj respektimin e dygjuhësisë gjatë seancave dhe në shkresa gjyqësore, informimin me kohë rreth procedurave gjyqësore dhe trajtimin e lëndëve, si dhe faktin se qytetarët kanë qasje të pa kufizuar në marrjen e informatave nga personat përgjegjës të gjykatave.
Si çështje negative që ka hasur kjo OJQ u nënvizuan çështjet, si interesimin e palëve dhe organit të akuzës për të zgjatur procedurat gjyqësore, dënimet minimale të shqiptuara për të gjithë të dënuarit, insistimin e avokateve mbrojtës dhe prokurorëve për t’i bindur palët në pranimin e fajësisë, vetëm për ta përfunduar lëndën, aplikimin e vendimeve të ndryshme, lidhur me paushallin gjyqësor për lëndët e njëjta, rastet kur lëndën e ka gjykuar një gjyqtar i vetëm, edhe pse ligji obligon që veprat e tilla penale të gjykohen nga Trupi gjykues etj. Në fund, pas një debati konstruktiv me të gjithë pjesëmarrësit, u paraqiten edhe konkluzionet dhe rekomandimet për trajtimin e lëndëve të tilla në të ardhmen, ku u veçuan rekomandimet që dënimet të jenë më të ashpra, me arsyetim se këto vepra janë të ndjeshme. Përmes ashpërsimit të dënimit, synohet parandalimi i kryerjes së këtyre veprave në të ardhmen. Gjithashtu, u rekomandua që t’iu jepet prioritet më i madh këtyre lëndëve, si dhe të zgjidhen brenda një afati sa më të shkurtër kohor, pastaj u kërkua që monitorët informues që ndodhen në brendi të objektit në gjykata, të vendosen jashtë pikave të kontrollit, për tua lehtësuar qytetareve njoftimin me lëndët.
Nga monitorimi i kësaj OJQ-je u lavdërua puna e Gjykatës Themelore në Prizren, rreth informimit që bën përmes Facebook-ut. Kjo u kërkua edhe nga dega e Gjykatës Themelore në Dragash.
Njëkohësisht, u rekomandua që gjykata të ndalojë ushtrimin e detyrës, për të gjithë të dënuarit për vepra të tilla penale, si dhe u rekomandua shtimi i numrit të gjyqtarëve, pasi nga disa prej tyre u potencua se në pritje kanë shumë lëndë.
Organizata CIDD publikon të gjeturat në gjykata!
POSTIMI PARAPRAKMira Janji sjell hitin e radhës veror, në anglisht (Video)
POSTIMI I RADHËSPërse Shqipëria duhet të vazhdojë Eurovizionin?
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.