Prishtinë, 10 dhjetor 2020 – Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave, Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj) në bashkëpunim me Komisionin e Pavarur i Mediave (KPM) dhe Agjencionin për Barazi Gjinore (ABGj) nënshkruan sot Deklaratën e Përbashkët me Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Kjo deklaratë e përbashkët, e iniciuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, në bashkëpunim me Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Agjencionin për Barazi Gjinore, është hartuar me qëllim të avancimit të barazisë gjinore në Kosovë me mediat si agjentë të ndryshimeve socio-kulturore.
Përmes kësaj deklarate, në pajtim me obligimet që dalin nga Kodi i Etikës për Mediat, si dhe parimet bazë të mosdiskriminimit dhe barazisë gjinore të mbrojtura e të promovuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, CEDAW, Konventën e Stambollit dhe ligjet tjera në fuqi, synohet angazhimi dhe koordinimi i akterëve për luftimin e dhunës ndaj grave, dhunës me bazë gjinore dhe stereotipeve gjinore.
Deklarata u nënshkrua nga drejtoresha ekzekutive në QKSGj, Luljeta Demolli, Kryeshefin ekzekutiv në KPM, Luan Latifi, Kryeshefen ekzekutive në ABGj, Edi Gusia, si dhe nga drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, në prezencë të Vlora Nushit, udhëheqëse e zyrës së UN Women në Kosovë.
Kjo deklaratë u mbështet gjithashtu edhe nga U.D e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe Kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila iu drejtua mediave me thirrjen për t’u bërë palë nënshkruese të deklaratës, me qëllim të avancimit të barazisë gjinore në Kosovë. Deklarata do të jetë e hapur për nënshkrim nga të gjitha mediat, të cilat në mënyrë vullnetare i marrin përsipër zotimet që dalin nga kjo deklaratë.