Në Zgatar u organizua “Sofra e Ymer Prizrenit”

Në Zgatar u organizua “Sofra e Ymer Prizrenit”

Dragash, 08 qershor 2019 – Në fshatin e lindjes së patriotit kombëtar, Ymer Prizrenit, në Zgatar të Dragashit, të shtunën është organizuar manifestimi tradicional kulturor “Sofra e Ymer Prizrenit”, ku morën pjesë, përveç banorëve të Zgatarit, krijues letrarë nga hapësirat mbarëshqiptare, mysafirë të shumtë dhe drejtues të pushtetit lokal në Dragash. Kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, tha se ky manifestim i bënë nder, jo vetëm Zgatarit, por edhe mbarë komunës dhe kombit, pasi kjo dëshmon përkushtim ndaj atdhetarit tonë të madh, Ymer Prizrenit. Ndërkaq, kryetari i Klubit Letrar “Luigj Gurakuqi” në Dragash, Ibrahim Skenderi, tha se ky manifestim vijon ta mbajë gjallë jetën kulturore. Ndërkaq, krijuesja shkodrane, Suela Balaj, u shpreh se gjithmonë ka emocione, por kësaj radhe ato janë më të theksuara sepse përkujtohet personaliteti i një ndër ngjarjet me të rëndësishme të kombit tonë, Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Pjesë e aktivitetit ishin krijues letrarë nga Komuna e Dragashit, si dhe nga viset e tjera të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Luginës së Preshevës. Aktiviteti u mbështet nga Komuna e Dragashit, ndërsa u organizua nga Klubi Letrar “Luigj Gurakuqi”.