Prishtinë, 01 dhjetor 2013 – Ndahet nga jeta, Abdullah Konushevci, poet dhe studiues, nga më të dallueshmit e letrave shqipe. Pas një sëmundjeje të rëndë, Konushevci vdiq sot, në moshën 55-vjeçare. Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës mban mbledhje komemorative, në orën 12, në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Abdullah Konushevci u lind më 1 maj 1958, në Prishtinë. Mbaroi fakultetin filozofik në Prishtinë dhe Zagreb. Punoi në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe në gazetën “Rilindja”. Pas mbylljes së “Rilindjes”, kishte mbetur pa punë. Ka botuar me qindra artikuj dhe recensione për letërsinë e shkruar dhe gojore, për çështje të gjuhësisë dhe onomastikës, si dhe ka përgatitur për shtyp një numër të madh veprash e revistash letrare. Shumë poezi të tij janë përkthyer anglisht, spanjisht, gjermanisht, rumanisht, sllovenisht, kroatisht, sllovakisht dhe turqisht. Ishte laureat i shumë çmimeve kombëtare për letërsinë, si dhe autor i disa teksteve shkollore për letërsinë. Ka përkthyer nga gjuha angleze, disa prej autorëve të letërsisë botërore, si: Hemingway, Tagore, Ludo Hupperts etj.
Thaçi: “Vdekja e hershme e Konushevcit, humbje e madhe”
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ngushëlloi familjen Konushevci, duke iu dhënë zemër për humbjen e familjarit të tyre. “Me pikëllim dhe dhembje të thellë morëm lajmin për shuarjen e jetës së poetit, kritikut, studiuesit dhe letrarit të shquar, Abdullah Konushevci, i cili ishte dhe do të mbetet ndër profilet më të kultivuara intelektuale albanologjike, një nga penat më të mprehta, i cili me erudicion dhe saktësi ka lënë gjurmë të përjetshme në letërsinë shqipe. Vdekja e hershme e Abdullahut, është humbje e madhe e familjes dhe miqve të tij, është humbje e një talenti, intelektuali dhe dijetari të përmasave kombëtare. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në telegramin e kryeministrit Thaçi.