Prishtinë, 02 dhjetor 2014 – Homazhe dhe nderime iu bënë sot tek varri, ish-kryetarit të ndjerë, Ibrahim Rugova, me rastin e 70-vjetorit të lindjes së tij.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se Rugova mbetet njëri ndër personalitetet më të shquara të kësaj epoke.
Ai e cilësoi Rugovën si “kreator të lirisë dhe pavarësisë dhe njeriu që i hapi dyert kryesore të vendeve më të rëndësishme botërore për Kosovën”. Edhe kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, në profilin e tij në Facebook e ka përkujtuar ish-presidentin Rugova, duke e vlerësuar lartë veprën e tij. “Kosova Republikë, e pavarur dhe demokratike, e orientuar thellësisht kah komuniteti euro-atlantik, ka qenë synim i Presidentit të parë të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, me të cilin kam pasur bashkëpunim në momentet pivotale të historisë sonë të re. Familja e tij dhe populli i Kosovës sot janë krenarë për punën e tij të palodhshme për liri dhe pavarësi”, ka shkruar Thaçi.