Prishtinë, 25 janar 2015 – Tre postime në Facebook ka bërë sot kryeministri Mustafa, ku si temë boshte ka pasur protestat e djeshme dhe ngjarjet aktuale të këtyre ditëve në Kosovë.
Fillimisht, Mustafa iu është përgjigjur akuzave të opozitës, pastaj ka komentuar rreth Trepçës, për ta përfunduar me temën rreth ministrit Jabllanoviq. “Xehetarë të dashur, qytetarë të Kosovës! Vetëvendosja, AAK-ja dhe Nisma, më 19 janar 2015 votuan kundër ndryshimit të ligjit, i cili duhej të nxirrej në momentet e fundit në Kuvend, për të pamundësuar një vendim gjykate që e qonte Trepçën në likuidim. Këta që dje thërrisnin ‘Trepça është e jona’ dhe bartnin pankarta, atë ditë ishin të gatshëm që Trepçën t’ua dorëzonin kreditorëve, të cilët janë nga Serbia e Greqia, shqiptarë e serbë të korruptuar dhe me dokumente të dyshimta. Kjo është e vërteta jonë për Trepçën në këto momente dhe dyfytyrësia jonë”, ka shkruar Mustafa, për të vazhduar me postimin tjetër në Facebook, ku i quan hileqarë ata që po thirren në mbrojtje të Trepçës. “Ata, që iu mbet merak me e dërguar Trepçën në likuidim, për t’i zhdukur të gjitha gjurmët e vjedhjeve, kontrabandës, keqpërdorimeve dhe manipulimeve, tani e quajnë të shantazhuar Qeverinë, e cila, së bashku me shumicën e deputetëve të Kuvendit, e shpëtoi në momentin e fundit Trepçën nga falimentimi dhe nga mbetja pa punë e mbi 5 mijë punëtorëve. Pse kemi nevojë të thërrasim se ‘Trepça është e jona’, kur ajo është në territorin tonë, siç janë të gjitha pronat e tjera.
A duhet të thërrasin në protesta, që Kosova është e jona?! Mos u frikësoni nga fjalët që vijnë nga Serbia sepse ato janë fjalë e kjo është tokë, e jona. Frikësohuni nga ata që manipulojnë me emocionet e qytetarëve, për ta shkatërruar pasurinë dhe për ta rrënuar demokracinë e këtij vendi, edhe ashtu të brishtë”, ka shkruar Mustafa.
Ndërkohë, në postimin e tretë, Mustafa ka shkruar edhe për kërkesën në rritje nga popullata për ta larguar ministrin Jabllanoviq nga qeveria e Kosovës. Kjo kërkesë, nga protestuesit e djeshëm kaloi në ultimatum për kryeministrin. Po nuk e shkarkoi ministrin Jabllanoviq të hënën, Mustafa do të ballafaqohet me protesta ditën e martë. “Listën Serbe dhe ministrin Jabllanoviq, nuk ua solli Isa.
Ata i gjeta në mesin tonë. I solli veriu i ndarë, i sollën votat e qytetarëve serb, i solli dialogu. Realiteti është se ata udhëheqin gati të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë dhe se kanë 10 deputet në Kuvend. Disa nga ata që sot po flasin kundër tyre, garonin për me i zëvendësuar vendet e garantuara me ato të rezervuara dhe, sot do të kishim së paku edhe 10 më shumë nga popullata joshumicë në Kuvend. Ishte LDK dhe unë që mbajtëm parimin, se janë konsumuar vendet e rezervuara dhe nuk lëshuam pe; të gjithë tjerët, përpos VV, të cilën edhe nuk e pyesnin, bënin gara, si në ankand, se kush po jep më shumë.
Për korrektësi, duhet të them se Thaçi ishte më i matur, sepse thoshte se ai e përkrahë zgjatjen e vendeve të rezervuara, pasi është në koalicion me minoritetet, por nuk garanton se do të votojnë të gjithë deputetët e tij dhe se kjo nuk mund të arrihet pa LDK-në, kurse Ramushi e Behxheti, nuk kishin kufi me zemërgjerësinë e tyre. Tani, të mos flasin shumë, se nuk u ka hije ose le ta thonë të vërtetën”, ka shkruar Mustafa.
Mustafa: Jabllanoviqin nuk jua solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj!
POSTIMI PARAPRAKDuda Bale flet për Bosnjën dhe raportet e saj me Kosovën!
POSTIMI I RADHËSProtesta e sotme eskaloi në dhunë!
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.