Mos i hap gropën tjetrit, se bjer vet në të!

qamil_kolloni_opinionNga: Qamil KOLLONI


Në seancën kur është marrë vendimi për kthimin e pronave, të menaxhuara nga “Sharrprodhimi”, në pronësi të Komunës së Dragashit, kryetari i Komunës, Salim Jenuzi, e pati marrë këtë si privilegj personal, duke u mburrur se po e ruan pronën publike.
Një fjalë e urtë popullore thotë: “Mos i hap gropën tjetrit, se bjer vet në të”! Edhe pse i kemi tërhequr vërejtjen, si opozitë, se po merr një vendim shumë popullor por të paligjshëm, për të fituar poenë politikë, Jenuzi e shfrytëzoi mentalitetin popullor, vetëm e vetëm për të fituar vota në zgjedhjet e atëhershme lokale. Ai nuk ishte në gjendje ta kuptonte se, edhe pse e ka marrë atë vendim, ai ka përcaktuar pronarin por jo edhe të drejtën për ekzekutim. Për ta ekzekutuar atë vendim, është dashur të ndiqeshin procedura të tjera, në pajtueshmëri me Ligjin për dhënie në shfrytëzim të pronës publike.
I rënë nën ndikim të vetëkënaqësisë, sekserëve, si dhe nën ndikim të prapaskenave, në raport me opozitën, me të cilën nuk është kooperativ fare, Jenuzi shkoi edhe me thellë, duke bërë abuzime, në rastin më të keq, lë hapësirë për të dyshuar edhe për keqpërdorime. Pavarsisht asaj, nëse është korruptuar apo jo, kryetari Jenuzi nuk i ka respektuar procedurat e rregullta për dhënien në shfrytëzim të pasurisë publike. Me këtë rast, ai ka shkelur ligjin. Ne si opozitë i patëm rekomanduar se, për t’i dhënë në shfrytëzim këto toka, duhet krijuar një agjenci për menaxhimin e tyre, ngase në komunën tonë kemi probleme edhe me pronat private, të cilat nuk po punohen. Por, i ndikuar nga sekserët apo edhe dëshira që me vendime populiste por aspak ligjore, Salim Jenuzi i vë delegatet para aktit të kryer, vetëm e vetëm që të realizojë marrjen e pushtetit, në zgjedhjet e parafundit lokale. Këtë formë të keqe të hapjes së gropës për të tjerët, duke i vënë delegatet para aktit të kryer, Jenuzi e ka bërë disa herë radhazi, siç ishte rasti i marrjes së vendimit për dhënien në ankand publik të Tregut të Gjelbër, e që sot e kësaj dite ai treg rri i shkretë, edhe pse është ndërtuar para më shumë se dy vjetësh, si dhuratë nga Evropa.
Edhe me këtë rast, Jenuzi përdori të njëjtën taktikë bizare, duke i futur me të njëjtin vendim edhe objektet tjera afariste, të cilat iu shpërndanë klikës së tij politike, ndërsa Tregu i Gjelbër mbeti pa u shfrytëzuar, sot e kësaj dite. Ky njeri dyshohet se, me vetëdije po luan dhe po hapë gropa për delegatët. Por, meqenëse për të njëjtën vepër, keqpërdorimin e vendimit të pronave komunale, ai sot po gjykohet, po vërtetohet se gropën, të cilën e ka hapur për të tjerët, po bie vet në të.
Qytetarëve iu mbetet të organizohen, në krye me intelektualët, për të mbledhur nënshkrime për shkarkimin e tij. Kjo, sepse ai, duke qenë në proces gjyqësor, ka paralizuar institucionet komunale.
Dihet se ne njihemi të gjithë me njeri-tjetrin. Prandaj, mund të themi vetëm se, të mjerë qytetarët e komunës së Dragashit që po udhëhiqen nga Salim Jenuzi dhe Shaban Shabani. Dy njerëz këta, pa unin e vet politik. Nuk mbahet posti me mistri në dorë. Më e ndershme do të ishte të largoheshit vetë, se sa të ju largojnë. Gropat që po i hapni për tjetërkënd, juve po ju presin.

(Autori është anëtar i kryesisë së degës së LDK-së në Dragash)

Leave a Reply