Mërgimtari sjell një automjet funksional për xhaminë e Bellobradit

Mërgimtari sjell një automjet funksional për xhaminë e Bellobradit

Bellobrad, 05 gusht 2021 – Ne mund t’i quajmë si të duam, por asnjë shtresë e shoqërisë nuk mund të ketë në gjirin e saj persona me pikëpamje dhe mendësi të njëjtë. Të tillë janë edhe mërgimtarët, në gjirin e të cilëve kemi mendësi të ndryshme, sikurse në çdo shtresë tjetër të shoqërisë. I tillë është edhe, Serafim Sadiku, mërgimtar në Zvicër por që për vendbanimin e tij, Bellobradin, nuk rresht së menduari. Vitin e kaluar, ky mërgimtar nga komuna e Dragashit ka realizuar projektin e ndërtimit të një kroi në Bellobrad, duke gërmuar në një sipërfaqe të madhe për t’i mbledhur burimet e ujit që ato të rrjedhin në një pikë. Sot “Kroi i Satos” është bërë një pikë ndalimi për të gjithë kalimtarët në rrugën, Bellobrad – Mejdan, që kanë nevojë ta shuajnë vapën me ujë burimi.
Këtë verë, Serafim Sadiku ka sjellë një automjet për bartjen e kufomave, të cilin ia ka dorëzuar xhamisë në Bellobrad, pasi ia ka paguar të gjitha obligimet dhe e ka regjistruar me targa të Kosovës. Automjeti, siç duket në foto, është shumë funksional dhe këtë e konfirmojnë edhe bashkëvendësit e tij, të cilët i janë falënderuar për këtë donacion human. Vetë Serafimi nuk ka dashur të flasë për redaksinë tonë, duke thënë se këtë donacion nuk e ka bërë për ndonjë reklamë apo për ta rritur autoritetin e tij por thjeshtë, sepse e do vendin e tij dhe, pavarësisht qëndrimit në mërgim, me mendje ndodhet në vendlindje. Megjithatë, për atdhedashurinë e tij dhe për kontributin që po jep për Bellobradin, është mëkat të heshtim. Faleminderit Sato!