Linda Nebiu – Fashion Designer qep maska për QKMF-në në Dragash (Video)

Linda Nebiu – Fashion Designer qep maska për QKMF-në në Dragash (Video)

Dragash, 10 prill 2020 – Ndonëse komuna e Dragashit mbetet e paprekur nga virusi Korona, senzibilizimi po ndodh sikurse kudo në botë. Banorët në masë të madhe po i respektojnë rekomandimet e mjekëve, institucionet po veprojnë me kapacitete të shtuara, si dhe nuk po mungojnë donacionet për furnizim me maska, dorashka dhe dezinfektues.
Një donacion i tillë ka mbërritur sot në QKMF-në e Dragashit, nga “Linda Nebiu – Fashion Designer”, me seli në Prizren, e cila menaxhohet nga familja e Nebi Nebiut, i cili prejardhjen e ka nga fshati Brrut i Opojës së Dragashit. Donacioni përmbante maska, të cilat janë qepur nga biznesi i kësaj familjeje, si dhe dorashka, e që për stafin e QKMF-së janë të mjaftueshme, për çka u shpreh falenderues edhe drejtori i këtij institucioni shëndetësor në Dragash, Ramadan Jashari. “Jemi shumë falenderues për këtë shtëpi mode që është menduar për ne. Falenderojmë veçmas bashkëvendasin tonë, Nebi Nebiun, i cili, ndonëse jeton e vepron në Prizren, nuk e harron trevën e tij të lindjes”, tha Jashari.
Nga ana tjetër, menaxherja e kësaj shtëpie mode, Ganimete Paçarizi – Nebiu, tha se e kanë ndërpresë veprimtarinë e tyre, për t’iu përkushtuar nevojës së kohës. “Pasi e filluam këtë aksion, me idenë e bashkëshortit, vendosëm që kontigjentin e parë ta sjellim në Dragash, me që ai vjen nga kjo trevë”, tha për redaksinë tonë, Ganimetja.