Prishtinë, 17 mars 2015 – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Memli Krasniqi, takoi sot kryetarin e Komunës së Dragashit, Salim Jenuzin, me të cilin bisedoi për zhvillimet e përgjithshme në sektorin e bujqësisë, veçmas në komunën e Dragashit.
Në takim ishte i pranishëm edhe Zyrtari i Lartë për Bujqësi në Dragash, Flamur Sylejmani, i cili kohët e fundit është ballafaquar me akuza që vinin nga fermerët e kësaj komune, lidhur me mungesën e subvencioneve për prodhuesit e qumështit. Për këtë çështje, Shoqata e Afaristëve “Sharri” në Dragash kishte organizuar një takim me fermerët dhe përfaqësuesit e Komunës, për të parë se ku qëndron faji që prodhuesit e qumështit nga Dragashi, nuk përfituan asnjë cent nga subvencionet e Ministrisë, me arsyetim se fermerët ishin vonuar me aplikacionet për këtë subvencion.
Në takimin me ministrin Krasniqi, të cilin e kishin kërkuar vetë zyrtarët nga Dragashi, u njoftuan hollësisht me Programin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural për vitin 2015, përmes të cilit, siç premtoi ministri Krasniqi, do të gjejnë mbështetje edhe fermerët e Dragashit që arrijnë t’i plotësojnë kriteret e përcaktuara në thirrjen për aplikim, e cila vazhdon të jetë e hapur deri më 10 prill të këtij viti.
Pas takimit, Sylejmani i tha Radio Sharrit, se ministri i njoftoi sot me rritjen e buxhetit në këtë ministri, ku janë shtuar edhe masat mbështetëse për sektorin e blegtorisë, i cili sivjet do të mbështetet përmes granteve investive dhe pagesave direkte. “Sipas asaj që na tha ministri Krasniqi, nga ky buxhet mund të gjejnë mbështetje edhe fermerët tanë, të cilët janë të njohur për veprimtaritë e tyre blegtorale. Kjo mbështetje, sipas ministrit, do t’i ndihmojë fermerët që ta zgjerojnë veprimtarinë e tyre blegtorale, duke ndikuar kështu në zhvillimin e mëtejmë të Dragashit përmes këtij sektori”, i tha Sylejmani Radio Sharrit, duke shtuar se ministrit ia kanë parashtruar edhe problemin që është krijuar në aplikacionet e fundit, e për të cilin tha se nuk është faji në Dragash.
Ndërkaq, kryetari Jenuzi e uroi ministrin për detyrën dhe e falënderoi për gatishmërinë e tij në zhvillimin e projekteve bujqësore në Dragash, si dhe e njoftoi ministrin për zhvillimet aktuale në bujqësinë e Dragashit dhe për sfidat e problemet me të cilat përballen fermerët e kësaj ane.
Memli Krasniqi zotohet për mbështetjen e fermerëve të Dragashit
POSTIMI PARAPRAKNë Leshan të Suharekës, dyshohet për varrezë masive!
POSTIMI I RADHËSDhjetë komandantë do të gjykohen në Gjykatën Speciale?
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.