Më në fund përjetësohen emrat e dëshmorëve nga Opoja!

varri ruzhdi berishaDragash, 01 maj 2015 – Në seancën e së martës, Kuvendi i Komunës së Dragashit, i ka përjetësuar emrat e dëshmorëve të UÇK-së nga Opoja, duke i emërtuar institucionet publike në këtë komunë. Këtij vendimi i kishte paraprirë Komisioni që ishte formuar nga Kuvendi, enkas për tu marrë me këtë çështje, sa morale po aq edhe obligative për kombin tonë.
Kështu, Qendra Sportive në Dragash që pritet të ndërtohet, do ta mbart emrin e dëshmorit, Tasim Krasniqi, emrin e dëshmorit Adem Berisha do ta mbajë QKMF-ja në Dragash, emrin e dëshmorit të Abdurrahman Gërdellaj, do ta ketë Shtëpia e Kulturës në Dragash. Biblioteka e Dragashit është emërtuar me emrin e dëshmorit, Ymridin Çengaj, Shtëpia e Kulturës në Bresanë është emërtuar me emrin e dëshmorit, Alajdin Xhezairi, ndërkohë që Shkolla e Mesme Profesionale, e cila është në përfundim e sipër, do ta mbajë emrin e dëshmorit, Fisnik Ibrahimi, ndonëse emërtimi i këtij institucioni arsimor nuk është kompetencë e Komunës. Por, kjo e fundit ka marrë obligim që t’iu dërgojë institucioneve qendrore propozimin për emërtimin e kësaj shkolle, me emrin e dëshmorit, Fisnik Ibrahimi.
Kujtojmë se më herët janë emërtuar edhe institucionet tjera me emrat e dëshmorëve, si Shkolla e Mesme në Dragash, me emrin Ruzhdi Berisha, Shkolla Fillore në fshatin Blaç – Ilmi Bahtijari, Shkolla Fillore në Dragash – Fetah Sylejmani dhe Shkolla Fillore në fshatin Kuk – Samidin Emini.

Leave a Reply