Lidhja Shqiptare e Prizrenit është besëlidhje – Mos na ndani!

Lidhja Shqiptare e Prizrenit është besëlidhje – Mos na ndani!

Kukës, 10 qershor 2021 – Shoqata Atdhetare-Kulturore “Ramadan Zaskoci” dhe Lidhja e Shkrimtareve dhe Artistëve të Shqipërisë – Dega në Kukës, tërheq vëmendjen e institucioneve shtetërore dhe atyre jo-shtetërore, në lidhje me shënimin e datës 10 qershor, në përkujtim e nderim të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. “Është tërësisht e papranueshme që, në këtë ditë të shënuar, të mos ketë koordinim dhe bashkërendim në realizimin e aktiviteteve të përbashkëta kulturore e historike, kur është dëshmuar katërçipërisht kontributi i kuksianëve në veprimtarinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku ndër të tjerash ka shkëlqyer aktiviteti patriotik i Ramadan Zaskocit, si kryesues i gardës së kësaj Lidhjeje.
Është më tepër se mos-vëmendje  mos-promovimi i përpjekjeve dhe luftës që kuksianet, nën udhëheqjen e Zaskocit, kanë bërë në kuadër të arritjes së objektivave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Është fyerje kombëtare mos-informimi i gjithë kombit për ndryshimin e vendit të realizimit të këtij aktiviteti kombëtar në përkujtim të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Gjithmonë ky aktivitet kombëtar është realizuar në Muzeun Historik të Prizrenit, ndërkohë që sivjet është ndryshuar ky vend dhe nuk ka pasur njoftim për bashkëkombësit.
Gjithsejtë 36 vite luftë të Zaskocit dhe identifikimi i tij substancial me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, nuk mund të lihen në hije. Kjo që ka ndodhur në këtë 10 qershor, është akti me i ulët sepse nuk ka si të përcaktohet ndryshe neglizhenca dhe mos-koordinimi i institucioneve të shteteve të shqiptarëve për aktivitetin e përbashkët kombëtar. Çështje të tilla kombëtare nuk mund të jenë kompetencë apo atribut i vetëm i një institucioni lokal. Rëndësia e kësaj dite prek gjithë kombin shqiptar dhe nuk mund të ketë asnjë kriter përjashtues apo neglizhues ndaj çdo shqiptari, aq më tepër ndaj figurës së Zaskocit, figurë që është pazgjidhshmërisht e lidhur me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, është pushka e parë që shënoi fillimin e veprimtarisë patriotike të saj. Gjithçka tjetër që synon të kundërtën është anti-kombëtare dhe anti-historike”, thuhet në deklaratën e përbashkët, e nënshkruar nga Vera Istrefaj, në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artisteve – Dega në Kukës dhe Ajet Gjana, në emër të Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Ramadan Zaskoci”.