Prishtinë, 02 korrik 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se duhet të jemi konstruktiv në dialogun Kosovë-Serbi dhe se për të kurrë s’ka qenë kjo çështje prioriteti numër shtatë, ndërkohë që e ka pranuar se ka bërë një lëshim, duke e vendosur dialogun si prioritet i katërt.
“Dialogu kurrë s’ka qenë për mua prioriteti 7, pasi unë këtë s’e kam thënë, unë kam thënë se dialogu për qytetarët është në prioritetin numër 5, 6 apo 7. Por unë e kam bërë një kompromis, pasi kam thënë se dialogu Kosovë-Serbi është prioriteti numër 4. Unë jam marrë me çështje tjera, duke filluar nga pandemia, ekonomia e drejtësia”, tha shefi i Qeverisë, duke shtuar se në këto 10 vite të dialogut janë bërë shumë koncesione.
“Dialogu, tash e 10 vjet, buron nga rezoluta e OKB-së, e 8 shtatorit 2010. Do të ketë kapitull të ri të dialogut që do të ketë takime. Në këto 10 vite janë bërë shumë koncesione. Dialogu ka degjeneruar shumë për këto vite”, shtoi Kurti, duke e pranuar se po bëhet trysni mbi të që t’i zbatojë marrëveshjet e dëmshme me Serbinë.
“Ka trysni mbi mua që t’i zbatoj marrëveshjet e dëmshme me Serbinë. Zotimet shtetërore, disa i ka hedhur Gjykata Kushtetuese, disa s’i zbaton Serbia e disa i ka hedhur populli. Kosova është subjekt në tavolinën e dialogut me Serbinë”, u shpreh Kurti.