Dragash, 29 gusht 2022 – Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, i cili kryeson edhe Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi, ka kërkuar sot nga organet gjegjëse që t’i hetojnë deklaratat e Fatir Berzatit, i cili ditë më parë, në televizionin T7, pohoi se në këtë komunë vepron një zyrë ruse, e cila vepron si organizatë humanitare.
Në një postim në Facebook, Xheladini ka thënë se deklaratat e personit që është thirrur si përfaqësues i goranëve, kanë bërë bujë dhe, vetëm sot, ai ka pasur disa thirrje nga media që të prononcohet rreth kësaj deklarate. “Të nderuar qytetarë të komunës së Dragashit, me kërkes të mediave, sot pata tri paraqitje televizive, lidhur me deklarimet e Fatir Berzatit, se në Dragash ekziston një zyrë ruse. Kësaj deklarate të pa matur të tij dhe interesimi shumë i madh i mediave në Kosovë, po shkakton huti dhe shqetësim të opinionit publik, e sidomos të komunitetit jo-shumicë në Dragash. Organet kompetente që merren me qështje të sigurisë dhe të drejtësisë duhet urgjentisht të merren me të vërtetën dhe sa më shpejtë që të jetë e mundur të dalin me informatë zyrtare për këtë çështje. Burimin e informacionit organet kompetente e kanë, Fatir Berzatin. Le të tregojë ky se ku është ajo zyrë ruse dhe ku janë ndarë ato ndihma. Unë, si njeriu i parë i Komunës dhe kryesues i Komitetit Komunal për Siguri në Bashkësi, duhet të jem i informuar”, ka shkruar Xheladini.
Kujtojmë se, kërkesë për ta hetuar këtë deklaratë, kishte bërë edhe deputeti nga komuniteti goran në Kuvendin e Kosovës, Adem Hoxha, i cili për redaksinë tonë pati deklaruar se nuk duhet heshtur para kësaj deklarate dhe se nuk duhet kuptuar si diçka e parrezikshme.
Kryetari i Dragashit kërkon hetim ndaj deklaratave të Fatir Berzatit!
POSTIMI PARAPRAKKomuna e Dragashit planifikon organizimin e një panairi
POSTIMI I RADHËSAmerikanja kërkon konservimin e Valanicës në Bellobrad