Prishtinë, 12 shtator 2014 – Kosova shumë shpejt pritet t’i vejë sanksione Rusisë, duke ndjekur kështu hapin e Bashkimit Evropian. Ministria e Punëve të Jashtme, tashmë i ka koordinuar dhe analizuar mundësitë që t’i vejë sanksione Rusisë. Lajmin për mundësinë e vënies së sanksioneve ndaj Rusisë, përmes telefonit, e ka konfirmuar për KosovaPress, Bashmir Xhemaj, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, thotë se veprimet e fundit të BE-së kanë qenë krejtësisht të pritshme, në kuptimin se edhe BE-ja nuk kishte alternativë, përveçse të aplikonte sanksione, pas vendimit të SHBA-së për ta sanksionuar Rusinë. Në mesin e këtyre masave që BE-ja i ka vënë Rusisë, është ndalimi i lëvizjes së lirë të njerëzve, përkatësisht të autoriteteve kryesore ruse, ndalja e kredive që bankat evropiane do t’iu jepnin kompanive nga Rusia dhe, eventualisht, ndalimi i importeve të prodhimeve të tyre që si partner e shohin BE-në. Profesorët e marrëdhënieve ndërkombëtare kanë theksuar se Kosova, ndonëse me kapacitete të limituara që ka, duhet t’i ndjek politikat e Bashkimit Evropian dhe t’i vejë sanksione Rusisë. Madje, sipas tyre, do të ishte fatale çfarëdo veprimi tjetër që nuk do të ishte në përputhje me politikat e BE-së dhe SHBA-së. Nga ana tjetër, Serbia, pretendente për t’iu bashkuar familjes së madhe evropiane, ende nuk ka shprehur gatishmëri që t’i aplikoj sanksionet ndaj Rusisë.