Viber, tashmë ofron thirrje edhe me video!


video komunikimi viberTokio, 13 shtator 2014 – Viber ka përditësuar aplikacionet e saj në pajisjet iOS dhe Android, me një veçori që shumë përdorues kanë kohë që po e kërkojnë, video-thirrjet në pajisjet mobile.
Që nga ky moment, ju mund të komunikoni edhe me video përmes Viberit, duke rivalizuar fuqishëm aplikacionin Skype, i cili është njëri nga shërbimet më popullor që lejon video-thirrjet në pajisjet mobile.
Viber, i cili është në pronësi të kompanisë japoneze “Rakuten”, ka vendosur që ta ofrojë këtë veçori tek dy nga aplikacionet e saj më popullore në pajisjet mobile. Për iOS dhe Android, Viber është përditësuar sot, në versionin 5.0, me veçorinë e video-thirrjeve. Përditësimi sjell gjithashtu kodet QR, të cilat mund të përdoren për të shpërndarë detajet e kontakteve. Shefi ekzekutiv i kompanisë Viber, Talmon Marco , iu ka thënë mediave se po punojnë për tri përditësime të tjera, të cilat do të realizohen deri në fund të këtij viti. Një nga këto përditësime lidhet me lojërat, tjetri mund të sjellë integrimin me platformën e shitblerjes së kompanisë Rakuten.