Dragash, 27 dhjetor 2023 – Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Dragashit, në mbledhjen e fundit të rregullt për vitin 2023, të mbajtur më datën 26.12.2023, nën kryesimin e kryetarit të Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, duke u bazuar në shqetësimet dhe kërkesat e shumta të qytetarëve të Komunës së Dragashit, në lidhje me mungesën e furnizimit me energji elektrike, ka marrë qëndrim që t’iu drejtohet me thirrje publike institucioneve përgjegjëse të KEDS-it. “Mungesa e vazhdueshme e furnizimit të rregullt me energji elektrike po u shkakton shqetësime dhe probleme të mëdha qytetarëve të Komunës së Dragashit, të cilët janë paguesit më të rregullt të energjisë elektrike. Ndërprerjet e shpeshta dhe rrjeti i vjetruar i furnizimit me energji elektrike në tërë territorin e komunës së Dragashit, veçanërisht në pjesën ku jeton komuniteti joshumicë, kanë krijuar një situatë të pafavorshme, e cila po ndikon në jetën dhe aktivitetet e përditshme të qytetarëve, si dhe po pengon funksionimin normal të shumë subjekteve ekonomike në komunën tonë. Prandaj, iu bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse dhe kompanisë KEDS që t’i marrin seriozisht kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve, duke ndërmarrë masa të menjëhershme për përmirësimin e kësaj situate, e cila është duke vazhduar tash e sa kohë. Kërkojmë që Komuna e Dragashit menjëherë të vendoset në listën e prioriteteve për rindërtimin e rrjetit elektrik, vendosjen e shtyllave prej betoni përgjatë rrugëve, si dhe vendosjen e transformatorëve adekuatë nëpër vendbanime. Si KKSB jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë me të gjitha organet kompetente, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme për qytetarët tanë”, thuhet në komunikatën e KKSB-së, nënshkruar nga kryetari i këtij këshilli, njëherësh edhe kryetar i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini.
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi – Apel KEDS-it!
POSTIMI I RADHËSIku nga kjo botë Halil Halili, një mësues shembull!