Prishtinë, Tiranë, 12 dhjetor 2014 – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka anuluar vizitën e parashikuar më 18 dhjetor në Shqipëri. Shkak i këtij anulimi, duket se është bërë ndryshimi i qëndrimit të opozitës në shtetin amë për të hyrë në Kuvend. Gjithashtu, mësohet se shkak i këtij anulimi është edhe angazhim politik që ka Jahjaga në Kosovë. “Gatishmëria e opozitës për ta thyer bojkotin e Kuvendit, pas realizimit të disa prej kërkesave të saj nga mazhoranca, ka bërë që Kuvendi ta shtyjë seancën e fundit për këtë vit, më 24 dhjetor”, shkruan gazeta Shekulli.
Seanca e fundit ishte parashikuar të realizohej më 18 dhjetor, ndërkohë që negociatat me ndërmjetësit e huaj, duket që i kanë detyruar të majtët për të lënë edhe 12 ditë afat, në mënyrë që të shmanget skenari i djegies së mandateve të opozitës. Si rezultat i kësaj, presidentja Atifete Jahjaga e ka shtyrë vizitën e saj të planifikuar në Shqipëri, më 18 dhjetor, ku ishte parashikuar që ajo të mbante një fjalim në Kuvend. Në këtë seancë do të merrte pjesë edhe opozita, për t’mos i djegur mandatet e deputetëve të saj, pas mungesës prej 6 muajsh në Kuvend.
Këshilltari i lartë politik i presidentes Atifete Jahjaga, Arbër Vllahiu, i ka thënë gazetës “Epoka e Re”, se vizita zyrtare e Jahjagës në Shqipëri do të realizohet në pjesën e parë të vitit 2015. “Kjo vizitë është në përgatitje e sipër. Vizita kërkon një afat të caktuar përgatitor dhe planifikim e përputhje agjendash të të dy presidentëve, si dhe një realizim të plotë e të suksesshëm të saj. Në këtë periudhë kohore, presidentja ka angazhime të plota kushtetuese në vend, në një kohë kur sapo janë ndërtuar institucionet e reja. Vizita në Republikën e Shqipërisë, bazuar në agjendën e dy presidentëve dhe bazuar edhe në afatet përgatitore, planifikohet të realizohet gjatë pjesës së parë të vitit 2015”, ka thënë Vllahiu.
Jahjaga anulon vizitën në Tiranë – Opozita ndërpret bojkotin!
POSTIMI PARAPRAKDuda Balje, sot në gjykatë – Dyshohet për vepër penale!
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.