Hoxha: “Më sulmuan paralelcit e Serbisë”!

Hoxha: “Më sulmuan paralelcit e Serbisë”!

Dragash, 18 nëntor 2016 – Në fshatin më të largët dhe më të madh në trevën e Gores së Dragashit, Restelicë, për shkak të konfiguracionit të terrenit vepron një radio stacion i vogël i cili iu shërben banorëve të këtij lokaliteti, të cilët nuk kanë qasje në radiot që veprojnë në Dragash. Mirëpo, duket se dikujt po i pengon ky radiostacion. Këtë e dëshmon fakti që kohëve të fundit disa herë është sulmuar drejtori, Nesim Hoxha, i cili thotë se kjo po ndodh për shkak se ai nuk po i aplikon kërkesat e grupeve të caktuara të interesit.
Gjatë vizitës që i kemi bërë këtij radiostacioni të vogël, kemi mësuar detaje interesante rreth sulmit të fundit që kishte ndodhur më 14 nëntor të këtij viti, nga persona, disa prej të cilëve drejtori Hoxha thotë se i ka njohur, pavarësisht se ata kanë qenë të maskuar.
“Rreth mesnatës, një grup i të rinjve, me koka të maskuara, kanë trokitur në derën tonë, ndërkohë që ne ishim në emision të drejtpërdrejt fetar, të cilin e realizonim përmes Skype-s, me një hoxhë që gëzon respekt nga restelicasit. Kur e hapim derën, ata kishin ikur”, fillon rrëfimin për radion tonë, Nesim Hoxha, i cili dukej tejet i shqetësuar dhe i brengosur për, siç thotë, neglizhencën e institucioneve përkatëse të sigurisë.
“Më vonë prapë trokasin në derë dhe punëtori shkon për ta hapur atë, ku edhe has në rezistencë. Ata po e mbanin dorezën, duke mos lejuar hapjen e derës. Pas disa ballafaqimeve mes punëtorit dhe sulmuesve, doreza këputet, dera hapet dhe punëtori ballafaqohet me të rinjtë e maskuar. Ata kishin filluar ta fyenin punëtorin, me nënë e familje. Kur dal edhe unë, ata fillojnë të na kërcënojnë, duke na thënë se  ndodhemi në Serbi. I habitur paksa, i lus me tone të buta që t’na lënë rehat ta kryejmë punën tonë por ata ashpërsoheshin edhe më shumë. Na thanë që ta kuptojmë se ndodhemi në Serbi dhe, nëse nuk veprojmë si të tillë, nuk do të na zbardh mëngjesi”, vazhdon rrëfimin Hoxha, duke shprehur kënaqësinë që disa prej sulmuesve i kishte zbuluar.
“Punëtori e ka njohur njërin nga ta. Ishte Adis Kaçka, bashkëfshatar i yni, i sapo punësuar si mësimdhënës në paralelet që veprojnë me plan-programe të Serbisë. Një tjetrit ia njeh zërin, kur ky i fundit e thërret shokun e tij. Ishte Silben Reka, i cili po e thërriste në emër, Almen Çuftën, edhe ky punëtor në arsimin paralel serb. Të tjerët nuk i kemi njohur por ka qenë e mjaftueshme sa për të pasur një bazë për fillimin e hetimeve. Vlen të theksohet se Almen Çufta është nipi i Ejup Çuftës, i cili para pak kohësh ishte emëruar drejtor i shkollës së Restelicës, që vepron me ligjet e Serbisë”, përfundon rrëfimin e tij për Radio Sharrin, Nesim Hoxha, duke potencuar se kjo nuk është hera e parë që ai dhe radioja e tij sulmohen. Hoxha ka përmendur sulmet që i janë bërë edhe më herët, ku i veçon edhe sulmet që i kanë ardhur nga zyrtarë të Komunës së Dragashit, të cilët vijnë nga fshati i tij, Restelicë. Fjala është për zëvendëskryesuesin e Kuvendit të Komunës së Dragashit, Sherif Aga, si dhe këshilltarin e Kuvendit, Hajrudin Hoxhën. Për të gjitha këto sulme, Nesim Hoxha thotë se i ka raportuar në polici por deri më tani, sipas tij, nuk është ndërmarrë asgjë konkrete.

Leave a Reply