Dragash, 08 nëntor 2022 – Ankesat e qytetarëve, se në shitoret “Viva Fresh” po kanë mashtrime, ku nëpër rafte çmimet po i shihnin joshëse dhe në arkë po paguajnë më shtrenjtë, e kanë vënë në lëvizje Inspektoratin e Tregut në Dragash.
Pas një kontrolli në shitoret e kësaj kompanie, inspektorati ka vërtetuar se qytetarët kishin të drejtë. Në disa artikuj, çmimet reklamohen “Aksion” por në fakt nuk rezultojnë ashtu. Inspektorati ka gjetur se çmimet e reklamuara si aksion, rezultojnë të njëjta me çmimet e rëndomta. Si përfundim, inspektorati ka vërtetuar se qytetarët kishin të drejtë në ankesat e tyre, sepse në këtë kompani nuk janë përmbajtur rregullave të ofertës “Aksion” por ato janë përdorur vetëm për joshjen e konsumatorëve.
Në vendimin të cilin e ka siguruar redaksia jonë, thuhet se kjo kompani ka shkelur nenin 13, paragrafin 1. të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, prandaj gjobitet me 5 mijë euro, shumë kjo e cila mund të zbritet për 50 përqind, nëse paguhet brenda afatit prej 15 ditësh.
Redaksia jonë ka marrë vesh se kompania ka parashtruar ankesë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nga ku ende nuk dihet se cili do të jetë epilogu.
Gjobitet “Viva Fresh” – Konstatohet mashtrimi me çmime!
POSTIMI I RADHËSHidroregjioni Jugor apelon për kursim të ujit