• Dikush e kishte parashikuar që kombëtarja gjermane do ta gllabëronte kombëtaren e Brazilit në gjysmëfinale. Parashikimi ishte ilustruar në një formë interesante, duke shndërruar flamurin gjerman në kokën e krokodilit. Atë e kishte mbështetur në murin e një ndërtese, ku në derën e një garazhi ishte vizatuar flamuri brazilian.
Dhe, vërtetë ashtu ndodhi, Gjermania është kualifikuar në finale, pasi ka fituar kundër Brazilit me rezultat poshtërues, 7:1. Në këtë ndeshje, sulmuesi Miroslav Klose hyri në histori, pasi e ka thyer rekordin e brazilianit Ronaldo. Vendasit e drejtuar nga trajneri, Scolari, janë mbajtur vetëm njëmbëdhjetë minuta, kur Tomas Myller shënoi golin e parë, ndërkohë që në minutën e 23-të, Klose shënoi golin e dytë për Gjermanisë. Një minutë më vonë, Kroos shënoi golin e tretë. Ky i fundit shënoi edhe golin e katërt, kurse Sami Khedira, në minutin e 29-të e mbylli serinë e golave për pjesën e parë, e cila përfundoi me rezultatin 5:0.
Në fillim të pjesës së dytë, Brazili pati disa raste për të shënuar, por Manuel Neuer ishte i pathyeshëm. Zëvendësuesi, Andre Schuerrle, shënoi dy golat e fundit për Gjermaninë. Krejt në fund golin e nderit për Brazilin e shënoi Oscar. Kjo ndeshje përfundoi me rezultatin 7:1 në favor të gjermanëve, të cilët do të luajnë në finale me ekipin i cili do të fitoj në ndeshjen e nesërme.