Gati për fluturime nga Kukësi – Gjermanët venë kushte!

aeroporti kukesKukës, 06 janar 2016 – Edhe pse ka pasur deklarata të ndryshme nga Ministria e Transporteve të Shqipërisë dhe ajo e Ekonomisë, lidhur me heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve ajrore që kanë gjermanët, si menaxhues të aeroportit të Tiranës, marrëveshja ka mbërritur edhe në Këshillin e Ministrave të Shqipërisë. “Qeveria është në prag të miratimit të negociatave të gjata, që pala shqiptare pati me koncesionarin dhe është rënë dakord që, pas miratimit të kontratës së re, të fillojë punën menjëherë aeroporti i Kukësit. Pala gjermane nuk ka dashur të lëshojë ekskluzivitetin që ka në Shqipëri, pasi kjo do t’i sillte fitim të munguar në vite. Për këtë ajo ka kërkuar fillimisht që të zgjatet kontrata që ajo ka në Rinas edhe për 5 vjet të tjera, por më pas marrëveshja e arritur është se, nëse qeveria shqiptare vë ne punë Kukësin, atëherë kontrata me gjermanët të zgjatet dhe 2 vjet”, ka thënë një burim, të cilin e transmeton Vizion Plus.
Negociatorët e marrëveshjes kanë paraqitur planin dhe mundësitë e ndërtimit të aeroporteve të tjera dhe kanë një projekt për një të tillë në jug të vendit. Nëse kjo realizohet, atëherë koncesionari kërkon zgjatje të kontratës edhe me 5 vjet të tjera, por kjo formulë do të aplikohet në varësi të datës që mund të ndërtohet, largësisë që do të ketë dhe numrit të fluturimeve që do të marrin.
Me hapjen e një aeroporti tjetër, mundësia për të futur linjat me çmime të ulëta bëhet më e afërt, por edhe çmimi për biletat e qytetarëve shqiptarë që fluturojnë, do të jetë më i lirë, raporton – Vizion Plus.

Leave a Reply