FIFA lejon miqësoret me Kosovën – Fusnota e obliguar!

fifa dokument lejaCyrih, 13 janar 2014 – Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s, ka konfirmuar sot se klubet dhe përfaqësuesja e Kosovës mund të zhvillojnë ndeshje, pa marrë leje nga Serbia. “Pas shumë takimeve që janë zhvilluar në vitin 2012, Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s, sot më datën 13 janar 2014, ka konfirmuar një sërë modalitetesh për ndeshjet miqësore që i përfshijnë klubet dhe kombëtaren e Kosovës”, thuhet në fillim të njoftimit nga FIFA.
Ky propozim iu dërgua Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, gjatë takimit të kryetarit të Federatës së Futbollit të Serbisë, Tomislav Karaxhiqit, dhe kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrrit, i cili u mbajt në zyrat qendrore të FIFA-s, më 10 janar 2014, e që u drejtua nga presidenti i FIFA-s, Sep Blater.
Modalitetet përcjellëse të ndeshjeve miqësore që i përfshijnë klubet dhe kombëtaren e Kosovës janë pranuar dhe hyjnë në fuqi menjëherë. Në këtë dokument thuhet:
– Anëtarët e FIFA-s janë të lejuara që të luajnë ndeshje miqësore me klubet dhe kombëtaren e Kosovës.
– Klubet dhe kombëtarja e Kosovës, nuk kanë të drejtë të shfaqin simbolet kombëtare (flamujt, emblemën, etj) e as ta lëshojnë himnin kombëtar. Sidoqoftë, ato kanë të drejtë të veshin apo të shfaqin pajisjet me mbishkrimin “Kosovo”, si dhe simbolin e një ylli të madhësisë së shkronjës “o” në kuadër të emrit “Kosovo”.
– Klubet dhe kombëtarja e Kosovës, nuk mund të luajnë ndeshje kundër klubeve apo kombëtareve të shteteve të ish-Jugosllavisë, deri në njoftimin e ardhshëm.
– Ndeshjet miqësore ndërkombëtare që përfshijnë klubet dhe kombëtaren e Kosovës, mund të luhen në territorin e Kosovës, por me kusht që FIFA të njoftohet 21 ditë para secilës ndeshje. Më pastaj, FIFA vetëm se do ta informojë Federatën e Futbollit të Serbisë.
– Çdo shkelje e kësaj marrëveshje do t’i referohet FIFA-s dhe marrëveshja do të përfundojë menjëherë.
“Vendimi i marrë nga Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s përfaqëson një shtytje të madhe për zhvillimin e futbollit në Kosovë dhe kjo gjë përsëri dëshmon fuqinë e jashtëzakonshme të sportit për t’i bashkuar njerëzit”, ka thënë presidenti i FIFA-s, Blater.

KËRKO FJALËT

Leave a Reply