Edhe ambasadori britanik mendon si ambasadorja Xhekobson!


Ian Cliff ambasadorPrishtinë, 13 nëntor 2014 – Nuk ka asnjë justifikim që të bllokohet seanca parlamentare, sepse ky institucion është sovrani. Legjislativi duhet të formohet në bazë të vendimit të Kushtetueses, pastaj presidentja vazhdon me procedurat, ku kërkon nga koalicioni më i madh parazgjedhor (PDK) ta formojë Qeverinë. Në qoftë se këta të fundit nuk mund t’i sigurojnë votat e nevojshme të deputetëve, atëherë mundësia iu jepet të tjerëve. Kështu ka thënë në një intervistë për gazetën “Zëri” ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jan Klif, duke shtuar se edhe Blloku duhet ta ridefinojë marrëveshjen.
Ambasadori britanik në vendin tonë është shprehur skeptik, nëse “Vetëvendosje” do të duhej të udhëhiqte dialogun me Serbinë. Klif nuk ka hezituar t’i kritikojë disa politikanë, për të cilët thotë se, për interesa personale, vazhdojnë ta zvarrisin procesin. Madje, ai pajtohet plotësisht me deklaratën e famshme të ambasadores amerikane, Xhekobson. “E kam thënë edhe unë të njëjtën gjë, vetëm se nuk i kam shkathtësitë e ambasadores Xhekobson për tu shprehur në shqip”, ka thënë Klif, duke shtuar se, në rrethana normale, ata politikanë që janë nën hetime apo me procedura gjyqësore, nuk do të duhej fare të ishin pjesë e politikës.


 

Leave a Reply