Ferizaj, 25 qershor 2018 – Nga sot, Forcës së Sigurisë së Kosovës iu shtuan edhe 11 oficerë të rinj, të cilët shërbimin do ta fillojnë me gradën nëntoger dhe do të sistemohen në detyrat e punës, në të gjitha njësitet e FSK-së. Kjo, pasi në kazermën “Skënderbeu” të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS), të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ferizaj u zhvillua ceremonia e diplomimit të kadetëve ,,Gjenerata 2018’’ të Qendrës për Studime Universitare të FSK-së. Pas diplomimit, me gradë nëntogeri u graduan gjithsejtë 11 oficerë të rinj të cilët me sukses mbaruan shkollimin katërvjeçar për udhëheqje në Qendrën për Studime Universitare dhe atë akademik në Universitetin Amerikan në Prishtinë.
Në aktin e veçantë të diplomimit të kadetëve morën pjesë: ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, zëvendës ministrat, Burim Ramadani dhe Agim Çeku, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës së SHBA-së, gjeneral major Timothy Orr, zëvendëskomandanti i KFOR-it, gjeneral major Janos Csombock, drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s për FSK-në, gjeneral brigade Ralf Hoffman, komandanti i Komandës së Forcave Tokësore (KFT), gjeneral brigade Enver Cikaqi, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS), gjeneral brigade Irfete Spahiu, si dhe gjeneralë e oficerë të FSK-së, KFOR-it, familjarë të kadetëve etj. Pas pjesës ceremoniale, pritjes së ministrit të FSK-së, Rrustem Berisha, rreshtimit të kadetëve dhe intonimit të himnit shtetëror, fjalën e rastit e mbajti ministri Berisha, i cili me këtë rast tha se sot është ditë e veçantë për FSK-në por edhe për atë si ministër sepse, në këtë ceremoni po diplomojnë dhe po gradohen 11 kadetë të “Gjeneratës 2018” të QSU-së të FSK-së. “Gjatë kësaj periudhe 4-vjeçare ju keni kaluar nëpër sfida të shumta, të cilat, falë punës, angazhimit dhe vendosmërisë, ju keni përfunduar me sukses dhe nga sot po gradoheni me gradën e nëntogerit. Gradimi juaj në oficerë të FSK-së po bëhet në një fazë shumë të rëndësishme të zhvillimit të FSK-së, kur edhe pritet qe kjo Forcë t’i avancoj kapacitetet operacionale dhe ta ndryshoj misionin e saj. Ky standard i arritur është një shembull i qartë i zhvillimit dhe progresit që po bën FSK-ja me profesionalizëm dhe në arritje të standardeve më të larta ushtarake të NATO-s”, tha Berisha, duke iu dëshiruar sukses dhe fat oficerëve të rinj. “Të dashur kadetë, nuk ka mision më të shenjtë sesa kontributi për vlerat e lirisë dhe të sigurisë. Andaj, ju dëshiroj suksese në këtë rrugëtim. Poashtu, një falënderim i veçantë iu takonë edhe familjeve tuaja, të cilat ju kanë qëndruar përkrah dhe ju kanë mbështetur në vazhdimësi”, tha Berisha.
Ndërkaq, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Irfete Spahiu, foli mbi detyrat, rolin dhe rëndësinë e oficerëve në institucionin tonë. “Të jesh oficer është detyrë jo e lehtë që përkon me shumë sfida dhe përgjegjësi. Dhe, sa më lartë që shkoni në karrierë, privilegjet tuaja rriten por njëherësh edhe përgjegjësitë dhe detyrat tuaja shumëfishohen. Jo më kot thuhet që një lider duhet të dijë dhe të veprojë, për të qenë i tillë. Të jetë me vlera ushtarake dhe atribute mentale, fizike e emocionale, të dijë aftësitë ndër-personale, konceptuale, teknike dhe taktike, si dhe të bëjë influencimin, drejtimin dhe përmirësimin e vartësve të vet. Prandaj, Ju kadetë të nderuar, ky betim jo vetëm që do t’ju ngarkojë me përgjegjësi, por do t’ju jepë forcë dhe vullnet për ta realizuar ëndrrën tuaj”, tha Spahiu, duke iu drejtuar më pas gjeneralit Rama për t’i dhënë garanci në sukseset e mëtejme. “I nderuar gjeneral Rama, unë ju garantoj se QSU dhe KDS do të vazhdojnë me përkushtim të reformojnë dhe avancojnë programet, të rrisin kualitetin dhe standardin e mësimdhënies dhe mësimnxënies, me qëllim që të nxjerrim oficerë të përgatitur, të motivuar dhe profesionalë. QSU ishte dhe vazhdon të mbetet institucioni edukativo-arsimor kredibil ngase gjatë këtyre viteve, ajo ka dëshmuar gatishmërinë, përkushtimin dhe disiplinën për të përmbushur misionin e saj. Nga kjo qendër kanë dalë shumë oficerë të rinj, të cilët tashmë janë pjesë e çdo angazhimi dhe njësie të suksesshme, shkollimi i të cilëve është bërë sipas standardeve të NATO-s”, tha Spahiu.
Gjatë ceremonisë, diplomat për të sapodiplomuarit i ndanë ministri, Rrustem Berisha, gjeneral major Timothy Orr, gjenerallejtënant, Rrahman Rama, gjeneral brigade, Irfete Spahiu dhe komandanti i Qendrës për Studime Universitare të FSK-së, kapiteni Vegim Krelani.
Prej 11 kadetëve të sapodiplomuar, ishte edhe kadeti Premtim Shaqiri, i cili u dekorua me medalje për rezultate të larta në përvetësimin e programit akademik. Me gradën nëntoger u graduan edhe Klevis Elezaj, Bajram Geci, Defrim Kurti, Kreshnik Dreshaj, Valdrin Pollomi, Arlind Osmani, Meriton Haxholli, Erblin Çoçaj, Shkelqim Raci dhe Argjend Lokaj.
Diplomoi gjenerata 2018 e kadetëve të FSK-së
POSTIMI PARAPRAKFamiljen Tahiri nga Brruti e nderuan edhe gjermanët! (Video)
POSTIMI I RADHËSPas gjysmëshekulli, mbyllet posta në Bellobrad!