Dragash, 23 janar 2014 – Partia fituese në Dragash (PDK), nuk ia ka arritur sot që t’i shtojë edhe tri drejtori komunale, ashtu siç e kishte paraparë me rend dite për seancën e sotme. Ndonëse, në fillim të seancës u njoftua se kjo pikë ka pësuar ndryshime, nga “propozim-vendimi për formimin e tri drejtorive të reja” në nismën “për të ndryshuar Statutin e Komunës”, delegatët nuk iu përmbajtën këtij formulimi të ri. Ata zhvilluan debate, nëse duhet të shtohen apo jo drejtoritë e reja, madje edhe u supozua se formimi i këtyre drejtorive po bëhet për t’i kënaqur nevojat e partnerëve të koalicionit qeverisës. “Paskeni vepruar shumë mirë që keni ndryshuar këtë pikë, ndonëse qëllimi i saj mbetet i njëjtë. Ne e kuptojmë se kjo po bëhet për t’i rehabilituar partneret tuaj të koalicionit, por duhet ta dini se kjo formë që ju keni ndërmarrë, është kontrabandim”, ka thënë këshilltari i LDK-së, Bahtiar Berisha. Mendim të këtillë ka shfaqur edhe këshilltari i vetëm i GIG-ut, Deir Jillmaz, i cili paralajmëroi se shtimi i drejtorive do të çakordojë edhe buxhetin.
Pasi u hodh në votim inicimi për ndryshimet në Statutin e Komunës, u pa se nuk ishin bërë përgatitjet adekuate, pasi votat për këtë çështje munguan. Madje, kundër këtij ndryshimi që kishte për synim shtimin e tri drejtorive komunale, votuan edhe këshilltarët e CDU-së, për të cilin subjekt mendohej se po kërkohen drejtori të reja.
I kontaktuar nga Radio SHARRI, zv.kryesuesi i Kuvendit, i cili vjen nga radhët e CDU-së, Adem Hoxha, tha se e kanë kundërshtuar këtë inicim, sepse të gjithë mendonin se këto drejtori po krijohen për subjektin e tyre. “Askush nuk është konsultuar me ne, në lidhje me këtë çështje. Ne nuk duam që ta ngarkojmë buxhetin, ani pse na takon një pjesë e pushtetit, pasi jemi subjekti më i votuar në Gorë dhe njëkohësisht edhe partner koalicioni me PDK-në fituese”, tha Hoxha.
Pas seancës, kreu i degës së LDK-së, Fatmir Mehmeti, është shprehur i kënaqur me dështimin e inicimit për ndryshimin e Statutit. Në profilin e tij në Facebook, Mehmeti ka shkruar se ky dështim erdhi si rezultat i pjekurisë politike të LDK-së. “Partisë në pushtet (PDK), i dështuan votat e partive në koalicion. Nuk arriti që ta procedojë ndërrimin e statutit, për të shtuar tri drejtori, në shërbim të interesave grupore. LDK dëshmoi pjekuri politike, duke shtuar zërin opozitar, nga 7 në 12 vota”, tha Mehmeti.
Dështon nisma për shtimin e drejtorive të reja komunale
POSTIMI PARAPRAKArrestohet opojani, i dyshuar për prostitucion (Video)
POSTIMI I RADHËSPërurohet Palestra sportive në Pallatin e Rinisë
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.