Boksieri Haxhi Krasniqi fiton dy tituj – Thaçi krenohet me të!


haxhi krasniqi boksDessau, 27 korrik 2014 – Boksieri nga Juniku i Kosovës, Haxhi Krasniqi, i cili garon nën flamurin e Gjermanisë, e ka mposhtur mbrëmë ukrainasin, Oleksandr Cherviak, duke ia dalë që t’i fitojë dy tituj, atë të WBO International dhe WBA Continental.
Në “Anhalt Arena” të qytetit gjerman Dessau, edhe kësaj radhe Krasniqi tregoi maturi dhe shumë pjekuri, duke shfaqur profesionalizmin që posedon, si dhe synimet e larta që ka. Gjatë gjithë ndeshjes, Krasniqi dëshmoi se ishte shumë më i përgatitur se sa ukrainasi, Oleksandr Cherviak, gjatë 12 raundeve, pas së cilëve u vendos nga gjyqtarët për fituesin. Me këtë fitore, Haxhi Krasniqi i hapi rrugën vetës që të luftojë për titullin e kampionit të botës.
Kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, e ka uruar boksierin kosovar për titujt e fituar, duke e quajtuar si sukses për gjithë Kosovën. “E uroj përzemërsisht junikasin tonë, Haxhi Krasniqin, i cili e mbrojti titullin në kategorinë gjysmë të rëndë në WBO dhe njëherit e fitoi titullin WBA Continental. Pas suksesit të shqiptarëve në Brazil, ky është një triumf i radhës i sportistëve tanë, me të cilët krenohet i gjithë kombi”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në Facebook.