Dragash, 18 korrik 2021 – Pronari i fabrikës “Meka”, në fshatin Plavë të Dragashit, Burim Piraj, përmes një statusi në Facebook ka rrëfyer një ngjarje, siç thotë ai, të tmerrshme, që i paska ndodhur në Shqipëri, ku me disa shokë janë nisur me motoçikleta nga Qafa e Valbonës drejt Thethit, por që thotë se ka përjetuar një ndër tmerret më të mëdha në jetën e tij.
Piraj shkruan se e kanë humbur rrugën për në Theth dhe aty paska filluar tmerri i vërtetë.
“Kemi hyrë në një rrugë, e cila përfundoi në oborrin e një shtëpie. U gëzuam kur e pamë por na ndodhi e kundërta. Familjarëve të asaj shtëpia nuk iu pëlqeu kur na panë aty. Dolëm nga aty dhe u tmerruam kur shkuam në një restorant, pas disa kilometrash udhëtimi”, ka shkruar mes tjerash Piraj në Facebook, duke i porositur ata që duan të shkojnë në këtë zonë, të mos e bëjnë këtë se mund ta kenë jetën në rrezik.
Postimi origjinal i Burim Pirajt:
- Ky është një udhëpërshkrim që kurrë nuk do të doja të shkruaja për te!U nisem me motora enduro nga Qafë Valbona drejt Thethit, e gabuam rrugën dhe hymë në një rrugë e cila në fund kishte një shtëpi të banorëve lokal. Me të dëgjuar motorët nga shtëpia doli një burrë dhe një grua, ne u gëzuam që i pamë dhe filluam ti pyesim se cili është shtegu për Theth, po ata ishin shumë të brengosur që ne shkelëm në rrugën e tyre dhe filluan të na tregojnë që ajo është rruga tyre dhe se ata aty jetojnë e ne nuk bëmë aspak mirë që ashtu u futem pa pyet në atë rrugë. Më falni i thash po nuk e pamë një tabelë që kjo rrugë është vetëm e juaja dhe është e ndaluar për të tjerët, filloj gruaja të pyes se a duam ndoshta me pi diçka a të hamë diçka, unë nga naivitetit i them: Zoti ju dhashtë bereqet faleminderit shumë,- mirëpo vëllai im e kuptoj se ajo nuk ishte ofertë pa pagesë, i tha: Na sill dhjetë Koka kola dhe gruaja me vrap shkoj në shtëpi, ne u ndalëm dhe më pas na shërbeu pijet me një pjatë djathë i zoti shtëpisë që i paguam aq sa dëshiroj vetë ai të kërkon para. Më pas na shpjeguan rrugën dhe u nisem. E pritem me padurim lajmin nga dy turistë të huaj se paska në rrugë një kioskë siç thanë ata e cila shërben dhe kafe. Më në fund arritëm tek “Simoni Cafe”! Pronari këtij lokali na doli përpara dhe në vend se të na pret ose gëzohet që ka konsumator ai filloj të na shaj dhe u kërcënua që nëse prapë kalojmë atypari do të na vras se po ia prishim rrugën e kuajve! As nuk pranoj të na shet kafe as pije pse jemi me motor dhe pse po flasim shqip e ne mezi i ramë në fije rrugës tjetër që anashkalon “Simon Cafe” po nuk harroj të na porosit të kemi kujdes se paska disa Çekë në kamping afër e të mos i shqetësojmë, po kur kaluam tek Çekët ata shumë në mënyrë të përzemërt na përshëndeten. Për juve që dëshironi të merrni rrugën me motorë enduro ose full krrosa ju lutem që për dy gjëra mos të shkoni nga Valbona në Theth. E para nga terreni e keni jetën në rrezik sepse ka shumë sfida dhe shumë rreziqe që nuk ia vlen ti provoni dhe E dyta pronari i “Simon Cafe” mund të ju vret për të cilën gjë është betuar se do ta bënë së shpejti. Në të njëjtin stil si në Qafë Valbonë na priti familja e parë në Theth, mo zo ma zi. Në Shkodër kaluam si në xhenet. Në Koman Xheneti vetë Shqipëria ka aq shumë vende për vizitë po Qafë Valbonën dhe Thethin ju propozoj ta anashkaloni ose të flisni një gjuhë të huaj.
Reagimi i Sali Berishës
Këtë postim të biznesmenit nga Dragashi, përpos portaleve të shumta, e ka shpërndarë edhe Sali Berisha, ish-kryetari dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, pa e analizuar fare ngjarjen, duke thënë së nuk pranohen sjelljet e njerëzve të kësaj zone. “Miq, kështu e cilëson udhëtimin nga Qaf Valbona në Theth biznesmeni nga Kosova B. Piraj. Ai dhe grupi i tij në këtë udhëtim u ndeshën me qëndrime jo miqësore dhe të papranueshme të ndonjë banori të zonës. Këto qëndrime bien ndesh me traditën mikpritëse dhe interesin jetik të atyre zonave për turizëm”, ka shkruar Berisha, duke e postuar edhe shkrimin e biznesmenit në tërësi.
Vërshojnë reagimet, komentet dhe opinionet
Komente të shumta kanë vërshuar në Facebook, ku disa shprehin trishtimin e tyre për këtë ngjarje por shumë të atillë shprehin mospajtim me biznesmenin pasi, sipas tyre, në ato zona nuk lejohet sorollatja me motoçikleta, të cilat dëmtojnë stazat por edhe krijojnë zhurmë të tmerrshme shqetësues për pushuesit, të cilët shkojnë atje për t’i ikur zhurmave dhe për ta shijuar natyrën origjinale. “Unë e kam kaluar atë shteg, si nga ana e Thethit ashtu edhe nga ana e Valbonës. Ai shteg është ndërtuar me kontribut të vendasve aty dhe të dashamirëve të natyrës, assesi nuk është e trasuar ajo pjesë për të bërë ture me motocross. Pra, këtu faji mbetet tek ju. Qysh në fillim e keni tabelën se ai shteg mund të shfrytëzohet vetëm për hiking dhe mountainbiking”, ka komentuar Xhemil Veliaj.
Edhe lexuesi, Çupi Koca, ka komentuar, duke sqaruar se krejt problemi ka qenë tek përdorimi i motoçikletave në atë zonë. “Per me motora nuk asht ajo rrugë, për arsye se po e prishni kur bjen shi veshtersohet rruga. Unë kam qenë atje para një jave kemi kalu shum mir. Edhe pronari i kafes asht shumë njeri i mirë respekt”, ka shkruar Koca.
Nga ana tjetër, komentuesi, Kristë Gjinaj, ia ka parë për të madhe biznesmenit për ftesën që ky i fundit ka bërë për ta refuzuar vizitën në këto anë. “Nuk ke pse shkruan dhe benë kërkesa që mos të shkon kush andej. Së pari duhet të turpërohesh që benë thirrje të tilla dhe, së dyti, mos harro se njerëz me tipare sikur të juaja, me shekuj nuk kanë kaluar andej. Unë e kam vizituar atë vend dhe kurrë s´më ka ndodhë asgjë e keqe”, ka shkruar mes tjerash Gjinaj.
Sido që të jetë, ka edhe komentues që e përkrahin biznesmenin, duke i fajësuar sjelljet e atyre banorëve, por pa dhënë ndonjë shembull nëse kanë vizituar atë zonë dhe si kanë kaluar andej.