Banorët e Orçushës kërkojnë mbylljen e kufirit me Shqipërinë!


orcusha gora dragashDragash, 02 gusht 2014 – Anomalitë në trevën e Gorës së Dragashit, nuk kanë të ndaluar. Përderisa po pretendohet Integrimi në familjen evropiane, ku nuk do të ketë barriera kufitare, në fshatin Orçushë të Dragashit, në trevën e Gorës, është dëgjuar kërkesa që të mbyllet një vendkalim kufitar me Shqipërinë, për shkak se, siç thanë disa banorë të këtij lokaliteti, janë të rrezikuar nga hajdutët që po u vijnë nga fshatrat matanë kufirit. Në një takim që kanë zhvilluar me strukturat e sigurisë, banorët e këtij fshati kanë thënë se nuk po ndihen të sigurtë, sidomos pas ngjarjes së fundit, kur dy persona me maska dhe të armatosur i kanë kwrcwnuar para një jave. Sipas tyre, sulmet kanë arritur kulmin, kur të shtunën e kaluar janë sulmuar nga persona me maska dhe të armatosur, me ç’rast është lënduar banori, Sinan Kasemi, duke u goditur me mjet të fortë në kokë. Duke folur në emër të fshatit, Bajram Jahja, i cili thotë se ishte edhe vet në shënjestër të sulmuesve të armatosur, ka përjashtuar mundësinë që banorët t’i rrokin armët. Siç transmeton “Koha Ditore”, ai ka kërkuar mbrojtje nga policia dhe organet tjera të sigurisë. “Kërkojmë nga organet e sigurisë publike të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë që të na e rikthejnë qetësinë, pasi ne aktualisht jemi tejet të shqetësuar”, ka thënë Jahja.
Kujtojmë se mbrëmjen e së shtunës që shkoi, dy persona të maskuar dhe të armatosur, kanë kërcënuar banorët e këtij fshati të vogël të Dragashit. Njëri me Kallashnikov dhe tjetri me thikë, në gjuhën gorane kanë kërkuar para nga disa persona që po rrinin të ulur në një hapësirë publike të fshatit. Madje, për t’i frikësuar, ata kanë shtënë me armë në drejtim të panjohur. Krismat kanë alarmuar banorët e fshatit, të cilët janë mbledhur me shpejtësi tek vendi i ngjarjes dhe personat e maskuar kanë ikur në drejtim të panjohur.