Arrestohen dy persona nga fshati Kuk – Shantazhuan si femra!


facebook mashtrimi kompromentimiDragash, 29 gusht 2014 – Pak pas mesnate, hetues rajonalë, në bashkëpunim edhe me njësitet tjera operative, kanë arrestuar dy meshkuj në fshatin Kuk të Dragashit, pasi dyshohen se të njëjtit kanë konsumuar elemente të veprës penale të shantazhit.
Zëdhënësi i Policisë rajonale të Prizrenit, Hazir Berisha, njoftoi sot se njëri nga të dyshuarit i kishte shkruar një personi, përmes rrjetit social “Facebook”, duke u paraqitur si femër. “Duke tentuar që ta joshte seksualisht, i dyshuari i kishte kërkuar viktimës 800 euro. Në të kundërtën, ai do t’i bënte publike bisedat komprometuese që kishte zhvilluar me këtë person. Viktima në këtë rast ka kërkuar ndihmën e policisë, e cila e ka njoftuar prokurorin e shtetit, ku kanë marrë pëlqimin edhe të gjyqtarit të procedurës paraprake. Të dyshuarit, pasi janë mbajtur nën vëzhgim, janë arrestuar në flagrancë, teksa po i merrnin paratë, në vendin ku paraprakisht e kishin caktuar vetë ata”, ka njoftuar Berisha, duke shtuar se policia ka kryer bastisje në dy shtëpi, me ç’rast  janë sekuestruar  një kompjuter dhe pesë telefona celular, përmes të cilëve dyshohet të jetë kryer kjo vepër penale.