Nga: Granit RIFAJ
• Si anëtar i Kuvendit të Komunës së Dragashit, shpreh brengën time për mostestimin e familjarëve të të prekurve nga Covid-19 në komunën e Dragashit. Kjo tregon edhe njëherë se sa të paaftë janë Qeveria Kurti në largim dhe Ministria e Shëndetësisë, në menaxhimin e kësaj situate.
Këta, jo vetëm që po tregojnë se janë të paaftë, por po dëshmohet se nuk brengosen as për qytetarët e Republikës së Kosovës sepse, fillimisht bëjnë teste për veten e tyre, ndërsa i harrojnë 40 mijë qytetarë të Dragashit. Kësaj qeverie, sikur nuk i mjaftoi zvogëlimi në minimum i buxhetit për rrugën, Zhur-Dragash-Brod-Zaplluxhe, por kjo qeverisje as nuk po e merr mundin t’i testojë familjarët e të prekurve me Covid-19 në komunën e Dragashit. Kushedi, ndoshta po presin që komuna e Dragashit të shndërrohet në vatër të pandemisë. Atyre nuk iu bën përshtypje as thirrja publike e kryetarit të kësaj komune, z. Shaban Shabani, dhe as kërkesa e koordinatorit të Qendrës Operative në Dragash e as thirrja publike e vetë familjarëve që të vijnë sa më shpejtë në komunën e Dragashit për t’i marrë mostrat e familjarëve të të prekurve me këtë virus.
Për fund apeloj tek Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja, duke ua rikujtuar se e kanë obligim t’i bëjnë testimet tek familjarët e të prekurve me Covid-19 në komunën e Dragashit, sepse, duke e neglizhuar këtë proces, ju po e rrezikoni jetën e shumë qytetarëvetë kësaj komune.
(Autori është anëtar i Kuvendit të Komunës së Dragashit nga radhët e degës së Partisë Demokratike. Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion, nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe pikëpamjet e redaksisë sonë)