Prishtinë, 15 korrik 2021 – Agron Gashi nga fshati Brezne, punëtor i arsimit, zyrtarisht është kandidat për kryetar të Komunës së Dragashit, në zgjedhjet që pritet të zhvillohen në tetor. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, në pritjen që i ka bërë kryetarit të degës, Selami Sahitit, si dhe kandidatit, Agron Gashi, të cilin e ka vlerësuar si njeri të sinqertë dhe të aftë. “Aleanca synon të ofrojë ndryshim në qeverisjen komunale në Dragash. Kjo komunë malore, me shumëllojshmëri të bimëve mjekësore dhe aromatike e me potenciale të shumta natyrore, është vendi më i përshtatshëm në rajon për zhvillimin e blegtorisë por edhe turizmit. Dragashi ka nevojë për zhvillim ekonomik, investime të përbashkëta publiko-private që këto resurse të jenë në shërbim të rritjes së mirëqenies së qytetarit. Programi i Aleancës dhe njerëzit e saj që do e zbatojnë këtë program, janë garanci e ndryshimit për këtë komunë”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook, duke i dëshiruar kandidatit suksese dhe duke ia uruar paraprakisht fitoren në pozitën e të parit të Dragashit.