Dragash, 23 janar 2020 – Kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, sot ka pritur në takim përfaqësuesit e Caritas-it zviceran, me të cilët ka nënshkruar një marrëveshje, përmes së cilës mëtohet promovimi i prodhimtarisë bujqësore në Dragash.
Sipas kësaj marrëveshjeje, që nga ky muaj, Caritas-i zviceran do të zbatojë projektin “Prosperiteti i prodhimtarisë agrare në Kosovë nga investimet e qëndrueshme rurale PASURI”, duke synuar përmirësimin e kushteve jetësore të fermerëve, rritjen e gjenerimit të të hyrave dhe prodhimin bujqësor në Dragash.
Në një prononcim për redaksinë tonë, Shabani potencoi se Komuna e Dragashit ka pasur në vazhdimësi një bashkëpunim të mirë me Caritas-in zviceran por e gëzon fakti se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti. “Me të vërtetë po ndihem mirë që edhe në vitin 2020 po vazhdojmë këtë bashkëpunim të mirë që kemi më Caritas-in zviceran”, u shpreh Kryetari Shabani, duke potencuar se me këtë projekt do të përfitojnë qytetarët e kësaj komune. Ngjashëm i shprehen edhe përfaqësuesit e Caritas-it zviceran, Veton Rruka dhe Nderim Pasuli.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar sot, Caritas-i zviceran ka zhvilluar modelin e granteve, të përbërë nga paketa me materiale të nevojshme për kultivimin e frutave malore, bimëve mjekësore dhe aromatike, si dhe prodhimin e mjaltit. Për implementimin e prioriteteve të dala nga ky projekt, pritet që këtë vit të investohen 57 mijë euro.