Dragash, 22 janar 2020 – Në seancën e së martës kundër deputetit të Kuvëndit të Kosovës nga radhët e komunitetit goran, Adem Hoxha, të martën ka dëshmuar, Selman Osmani, nënkryetar i Kuvendit të Dragashit, njëherësh nënkryetar i Partisë së Bashkuar Gorane (JGP), parti kjo që udhëhiqet nga i akuzuari Hoxha. Ai ka deklaruar se nuk e ka parë që Hoxha t’i ketë sulmuar vëllezërit Fatir dhe Berzat Berzati. Osmani është dëgjuar në Gjykatën Themelore të Prizrenit, dega në Dragash, në rastin e deputeti Hoxha, i cili akuzohet për dy vepra penale, atë të sulmit dhe të kanosjes.
Paraprakisht, prokurori i rastit, Shehadin Destani, ka bërë rikualifikimin e veprës penale, duke e ngarkuar të akuzuarin Hoxha për veprat penale që parashihen me Kodin e ri Penal, e jo me atë të vjetrin, siç akuzohej deri tani. Kjo sepse, sipas prokurorit, Kodi i ri parasheh dënim me të lehtë për të akuzuarin, prandaj, në rrethanat e aplikimit të ligjit me të favorshëm, e bën ketë ricilësim.
Gjatë dëshmisë së tij, Osmani ka thënë se të akuzuarin Hoxha e ka mik dhe bashkëpunëtor për shumë vjet, ndërsa në lidhje me rastin, ku pretendohet që i akuzuari Hoxha ka kryer dy vepra penale, Osmani ka thënë se, si nënkryetar i partisë, të cilën e udhëheq tani i akuzuari, e kishte ftuar të dëmtuarin Berzati në një mbledhje partiake. Sipas tij, në këtë mbledhje ka pasur një bisedë të tensionuar ndërmjet të akuzuarit dhe denoncuesve, duke shtuar se ky tensionim më pas ka kaluar edhe me ngritje të zërit ndërmjet tyre. Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit, nëse ai e ka parë të akuzuarin Hoxha duke i sulmuar të dëmtuarit, Fatir dhe Berzat Berzatin, Osmani deklaroi se nuk e ka parë këtë rast. ”Unë nuk kam parë që Adem Hoxha t’i ketë sulmuar Fatir dhe Berzat Berzatin. Unë nuk kam dëgjuar as fjalë kërcënuese të tipit “kam me ju zhduk” dhe as ndonjë fjalë tjetër kërcënuese”, ka deklaruar dëshmitari Osmani. Mirëpo, ketë deklaratë e ka kundërshtuar në tërësi i dëmtuari, Berzat Berzati, me arsyetimin se është e pavërtetë, e dhënë nën presion, si dhe, sipas tij, dëshmitari është i anshëm për faktin se është shok dhe bashkëpunëtor shumë i afërt me të akuzuarin Hoxha. Berzati ka shtuar se, lidhur me pohimet e tij, ai ka prova dhe dëshmi, të cilat ata si të dëmtuar do t’i paraqesin gjatë seancave të ardhshme. Prezent në seancën e së martës, kanë qenë edhe dëshmitarët e tjerë, Abdulla Haliloviq, Neim Sahtiari, Nijazi Jashari, Berzat Sharr, Ersan Ali dhe Fejza Haliloviq, të cilët janë lënë të dëgjohen në seancën e radhës, e cila është caktuar për 27 janar. Ndërkaq, në seancë ka munguar dëshmitari, Ernes Sherifi, për të cilin i akuzuari Hoxha tha se ndodhet në Austri, ndërkohë që gjykata ka lëshuar urdhërarrest për ta sjellë me dhunë, por që deri në momentin e seancës Stacioni Policor në Dragash, nuk ka dhënë asnjë njoftim për të. Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 20 shkurt 2018, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Adem Hoxha akuzohet se më 26 nëntor 2017, në selinë e Partisë së Bashkuar Gorane (JGP) në Dragash, me dashje ka përdor forcë ndaj personit tjetër. Në aktakuzë thuhet se, vëllezërit Fatir dhe Berzat Berzati, kishin shkuar në selinë e partisë, ku fillimisht e kishin përshëndetur kryetarin e partisë, tani të pandehurin Hoxha, ku ky i fundit i është drejtuar me fjalët: “Ti nuk meriton të më përshëndesësh mua”. Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë bisedës, i pandehuri Adem Hoxha është ngritur nga ulësja dhe i është drejtuar, tashmë të dëmtuarit Berzat Berzati me fjalët “Ti del në rrugë sepse nuk je anëtar i partisë dhe nuk ke të drejtë të qëndrosh aty. Berzati, duke dalë jashtë, goditet me shqelma mbrapa nga i pandehuri dhe më pas ai e godet edhe me grushte dhe shuplaka në fytyrë edhe të dëmtuarin, Fatir Berzati.
Bazuar në aktakuzë, me datën, kohën dhe vendin e përshkruar, i pandehuri Hoxha seriozisht i kanos të dëmtuarit, Fatir dhe Berzat Berzati, me fjalë, vepra apo gjeste, se do t’i shkaktojë ndonjë të keqe. Sipas aktakuzës, kanosja bëhet me fjalët: “Ty dhe vëllain tënd kam me ju zhduk. Ju keni me qenë shembull për të tjerët. Familja ime është e rrezikshme”, duke vazhduar më tutje me fjalët: “Ti dhe vëllai yt do ta mbani në mend se kush është Adem Hoxha, he ja u q*** n***, r*** ”, gjë që, sipas prokurorisë, tek të dëmtuarit ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë.
Kujtojmë se, njëri nga vëllezërit Berzati, Fatiri, për një kohë të shkurtër ishte emëruar nga Partia e të akuzuarit Hoxha në pozitën e zëvendësministrit të Zhvillimit Ekonomik, por shumë shpejtë është shkarkuar dhe, në vend të tij është emëruar, Hamza Bale. Zaten, mbrojtja e Hoxhës mëton se ky edhe është shkaku i gjithë kësaj zënke, e që vëllezërit Berzati, sipas deputetit Hoxha, po shpifin për t’iu hakmarrë.
Nënkryetari i Kuvendit të Dragashit përfundoi dëshminë në gjykimin ndaj deputetit Adem Hoxha
POSTIMI PARAPRAKKryetari Shabani nënshkruan marrëveshje me Caritas-in zviceran
POSTIMI I RADHËSTë akuzuarit e “Syrit të Popullit” shpallen fajtorë