Dragash, 19 qershor 2019 – Në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash, sot ka dështuar seanca, ku deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Hoxha, njëherësh kryetar i Partisë së Bashkuar Gorane (JGP), akuzohet për dy vepra penale, atë të sulmit dhe të kanosjes. Shkak për mosmbajtjen e kësaj seance ka qenë kërkesa paraprake e mbrojtësit të të akuzuarit Hoxha, Hajrip Krasniqi, i cili dy ditë më herët e kishte njoftuar gjykatën se do të jetë në një konferencë jashtë shtetit. “Avokati Krasniqi e ka arsyetuar mungesën e tij, me anë të një parashtrese që ka dërguar në gjykatë, më 17 qershor 2019, e në të cilën ai ka konstatuar se nuk mund të jetë i pranishëm në seancën e sotme, për shkak se do ta përfaqësojë Oden e Avokateve të Kosovës në një takim jashtë vendit. Në parashtresë thuhet se ai është konsultuar me të mbrojturin e tij, të akuzuarin Hoxha, me të cilin janë pajtuar që seanca të shtyhet për një ditë tjetër”, njoftoi gjykatësi i Lëndës, Luan Berisha.
Ndërkaq, i akuzuari Hoxha, deklaroi se ai nuk dëshiron që të vazhdojë seanca, pa praninë e mbrojtësit të tij. Kërkesën e të pandehurit dhe avokatit të tij nuk e ka kundërshtuar prokurori, Milot Krasniqi, me arsyetimin se vullneti i të akuzuarit për të pasur mbrojtës, duhet të respektohet.
Me shtyrjen e seancës nuk janë pajtuar dy të dëmtuarit, Fatir dhe Berzat Berzati, të cilët kanë kërkuar që kjo seancë të mbahet edhe pa praninë e mbrojtësit të të akuzuarit Hoxha. Fatir Berzati u shpreh se është i pakënaqur me rastet e shtyrjeve të seancave dhe, siç u shpreh, neglizhencave sa i përket trajtimit të kësaj lënde. Madje, pas përfundimit të seancës, i njëjti ka thënë për redaksinë tonë se kjo çështje po zvarritet qëllimisht e që, sipas tij, mund të përfundonte brenda dy orësh.
Gjykatësi Berisha, ka deklaruar se ai këtë lëndë e ka marrë që nga shkurti i këtij viti dhe se nuk është faji i tij që seancat po shtyhen, pasi, siç tha, ai është i obliguar të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Madje, gjykatësi ia përkujtoi palës së dëmtuar se shtyrje të seancave kanë ndodhur edhe më kërkesën e tyre. Në seancën e së mërkurës, kanë qenë të pranishëm edhe dëshmitarë të të akuzuarit Hoxha, në mesin e te cilëve ishte edhe zv-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Dragashit, Selman Osmani.
Kujtojmë se, sipas aktakuzës së ngritur më 20 shkurt 2018 nga Prokuroria Themelore në Prizren, Adem Hoxha akuzohet se, më 26 nëntor 2017, në selinë e Partisë së Bashkuar Gorane (JPG) në Dragash, me dashje ka përdorur forcë ndaj personit tjetër, pa pëlqimin e atij personi. Në aktakuzë thuhet se ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që, derisa të dëmtuarit, Berzat dhe Fatir Berzati, kishin shkuar në selinë e partisë, ku fillimisht e kishin përshëndetur kryetarin e partisë, tani të pandehurin Adem Hoxha, ky i fundit i është drejtuar me fjalët “ti nuk meriton të më përshëndetësh mua”.
Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë bisedës, i pandehuri Adem Hoxha, është ngritur nga ulësja dhe i është drejtuar tashmë të dëmtuarit, Berzat Berzati, me fjalët “dil jashtë se nuk je anëtar i partisë dhe nuk ke të drejt të qëndrosh aty”. Sipas aktakuzës, i dëmtuari Berzati, duke dalë jashtë, goditet me shqelma mbrapa nga i pandehuri dhe më pas ai e godet me grushte dhe shuplaka në fytyrë edhe të dëmtuarin tjetër, Fatir Berzati. Me këto veprime, Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale të sulmit, nga neni 187 paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës. Bazuar në aktakuzë, i pandehuri Hoxha seriozisht kanos të dëmtuarit, Fatir dhe Berzat Berzati, me fjalë vepra apo gjeste se do t’i shkaktojë ndonjë të keqe. Kanosja bëhet në atë mënyrë që u drejtohet me fjalët: “Ty dhe vëllain tënd kam me ju zhduk. Ju keni me qenë shembull për të tjerët. Familja ime është e rrezikshme. Ti dhe vëllai yt do ta mbani në mend se kush është Adem Hoxha, për të vazhduar fyerje në bazë familjare, gjë që, sipas Prokurorisë, tek të dëmtuarit ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë. Më këto veprime, Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale të kanosjes, nga neni 185, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës. Seanca e radhës është caktuar më datën 30 korrik të këtij viti.
Dështon sërish gjykimi ndaj deputetit Adem Hoxha!
POSTIMI PARAPRAKKomandanti i Policisë Rajonale viziton Dragashin!