Bellobrad, 22 qershor 2018 – Kishte filluar punën në fillim të viteve të gjashtëdhjeta dhe ishte ndër postat më të rëndësishme në trevën e Opojës së Dragashit, por sot asaj i është vënë dryri, pa iu dhënë sqarime banorëve të këtij lokaliteti, të cilët, mënjëherë pas luftës, me vetëkontribut ia ndërtuan bazën dhe nga ushtria zvicërane u montua një barakë e përkohshme, me shpresë se në të ardhmen do të ndërtohej një objekt i përshtatshëm.
Të mërkurën është tentuar të merreshin të gjitha pajisjet nga kjo barakë, por kryesia e fshatit e ka kundërshtuar këtë, me shpresë se do të rishikohej ky vendim nga menaxhmenti i Postës. Madje, banorët kanë nënshkruar një peticion, të cilin ia kanë drejtuar kryeshefit ekzekutiv të PK-së, Shukri Hoxha, për t’i kërkuar shtimin e shërbimeve në këtë pikë, siç janë pagesat e faturave dhe shërbimet kabllovike dhe jo mbylljen e saj. “Kërkojmë nga Bordi i drejtorëve të Postës që mos ta mbyllin këtë institucion të rëndësishëm por t’i shtojnë shërbimet për banorët e Bellobradit dhe gjashtë fshatrave që zyrtarisht i përkisnin kodit postar 38422 dhe dhe tani 22060. “Në vend të mbylljes, të na ofronin shërbime, ashtu siç i ka posta në Dragash sepse në këtë lokacion, ku nuk ka asnjë bankë, posta do të ishtë institucion shumë i rëndësishëm për banorët e kësaj ane”, ka kërkuar kryetari i Këshillit të Bellobradit, Vetim Sadikaj, duke mbetur me shpresë se Bordi menaxhues do ta dëgjojë zërin e tyre dhe do ta rishikojë vendimin, i cili po konsiderohet i ngutshëm dhe aspak i arsyeshëm.