Dragash. 23 maj 2018 – Pasditen e sotme, në afërsi të udhëkryqit të Rapçës, saktësisht në afërsi të pjesës së dëmtuar të rrugës së Dragashit, një drejtues automjeti nga fshati Radeshë, ka rënë thellë në humnerë, duke pësuar lëndime trupore por që i ka shpëtuar më të keqes.
Mësohet se i aksidentuari është shpënë në spitalin e Prizrenit, ndërkohë që policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka kryer hetimet paraprake për ta kuptuar shkakun e këtij aksidenti.
Paraprakisht dyshohet se drejtuesi i automjetit me targa serbe ka humbur kontrollin mbi mjetin, duke rënë thellë në humnerë, e që ka qenë e vështirë edhe intervenimi për ta shpëtuar atë. “Hetimet detaje do të dëshmojnë se si ka ardhur deri tek ky aksident, i cili për fat nuk ka përfunduar me fatalitet. Sipas rrethanave në terren, duket që moti me shi mund të ketë qenë njëri nga faktorët e këtij aksidenti”, tha për redaksinë tonë një polic hetues që kishte ardhur në vendngjarje.