Dragash, 13 prill 2018 – Një ekip i FSK-së, i udhëhequr nga kapiteni, Naim Bajraktari, vizitoi dje komunën e Dragashit, ku u interesuan për gjendjen në fshatin Restelicë të Gorës. Qëllimi i vizitës së tyre ishte njohja nga afër me hallet e kësaj ane, përmes bashkëbisedimeve me përfaqësuesit e Komunës së Dragashit, banorët e fshatit Restelicë dhe institucionet tjera relevante, me qëllim të ofrimit të ndihmës dhe zhvillimit të marrëdhënieve me banorët e Dragashit dhe FSK-së. Nënkryetari i Komunës, Selami Sahiti, informoi mysafirët për të gjitha problemet, me theks të veçantë rreth problemeve me rrëshqitjen e dheut në fshatin Restelicë. Mysafirët, pas takimit në ambientet e Komunës së Dragashit, vizituan vendet kritike që janë shkaktuar nga rrëshqitja e dheut dhe gurëve, në hyrje të fshatit Restelicë. Më pas vizituan shkollën e këtij fshati, ku biseduan me drejtorin dhe punonjësit e shkollës.
Gjatë bisedave me banorët e Restelicës, FSK-ja u zotua për ndihmë, ku fillimisht do ta vizitojnë sërish këtë fshat të madh me një ekip ekspertësh, për të intervenuar më pas në zgjidhjen e këtyre problemeve natyrore, me të cilat po ballafaqohen banorët e këtij fshati. Bashkë me FSK-në ishte edhe një ekip ushtarak nga ambasada e SHBA-së në Prishtinë, si dhe drejtuesit e policisë në Dragash.