Prishtinë, 08 dhjetor 2016 – Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), gjegjësisht Inspektorati i kësaj ministrie, ka marrë vendim sot që të ndalohen punimet në murin pranë urës së Ibrit në Mitrovicë. Lajmin për këtë vendim e ka konfirmuar kryeinspektori i MMPH-së, Bedri Halimi, i cili ka thënë se është dhënë urdhëresë për kthimin e sipërfaqes në gjendjen e mëparshme. “Po janë ndaluar punimet në ndërtimin e këtij muri, përmes inspektoratit tonë dhe është urdhëruar për rrënimin dhe më pas rrafshimin e kësaj hapësire, për ta kthyer në gjendjen e mëparshme. Këtë e kemi bërë me ndihmën e policisë, duke vendosur urdhëresën në mur. Do të ndërmarrim hapat e mëtutjeshëm ligjor dhe, nëse nuk rrënohet ky mur, ne do ta përcjellim çështjen në gjykatë”, tha Halimi për Radio Sharrin, duke shtuar se punëtorët që janë paraqitur, sikur janë nga Malisheva dhe që i përkasin firmës “7 vëllezërit”, kanë gënjyer. “Uniformat i kishin të shkruara po më këtë firmë, por nga Vushtrria, e cila është ç’regjistruar zyrtarisht në vitin 2009. Pse u krijua ky dezinformim i punëtorëve të kësaj firme dhe a janë vërtetë të kësaj firme, tashmë inekzistente, është punë e policisë. Përderisa nuk kanë prezantuar asnjë dokument, përpos uniformave ku dukej logoja e kësaj firme, ne nuk mund të themi se cilës firmë i përkasin në të vërtetë këta punëtorë”, shtoi më tej kryeinspektori, Bedri Halimi.
Edhe Bashkimi Evropian e ka komentuar këtë çështje, duke pohuar se janë duke shqyrtuar situatën e fundit që është krijuar në Mitrovicën e veriut. Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, tha se janë të angazhuar që bashkë me palët në kontest ta gjejnë një zgjidhje. “Jemi në kontakt të ngushtë me të gjithë faktorët për të siguruar një pamje të kënaqshme të urës dhe të rrugës për të gjithë, në mënyrë që të gjithë qytetarët të përfitojnë nga kjo”, ka thënë Kocijançiq, duke shtuar se marrëveshja për urën e Mitrovicës, e cila pritet të hapet për qarkullim më 20 janar, parasheh rregullimin e urës, me fonde të BE-së, si dhe rregullimin e rrugës “Mbreti Petër” për qarkullim të këmbësorëve.
Urdhërohet rrënimi i murit në Veri të Mitrovicës!
POSTIMI I RADHËSNë listën e votimit e gjen nënën e vdekur para 6 vjetësh!
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.